Rezultatet e para të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se bankat tregtare kanë shfaqur një performancë financiare pozitive edhe në tremujorin e parë të vitit.
Të dhjeta bankat që kanë publikuar rezultatet e kanë mbyllur tremujorin e parë të vitit me fitim.
Renditja e fitimeve në vlerë kryesohet nga Raiffeisen Bank Albania, që ka raportuar një fitim neto në vlerën e pak më shumë se 2 miliardë lekëve, në rritje me 113% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Raiffeisen ka arritur më shumë se një të katërtën e të gjithë fitimit të sektorit për tremujorin e parë të vitit.
Banka më e madhe në vend, BKT, për tremujorin e dytë, raportoi fitime në vlerën e 1.34 miliardë lekëve, në rënie me pothuajse 74% krahasuar me shifrat që kishte raportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Vijon Banka OTP Albania, që për tremujorin e parë ka raportuar një fitim neto në vlerën e 1.1 miliardë lekëve, në rritje me 46% krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Banka e fundit që ka deklaruar fitime sipër kufirit të 1 miliardë lekëve është Intesa Sanpaolo Bank Albania, në vlerën e 1.03 miliardë lekëve, në rritje me 132% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Katër bankat e mësipërme kanë siguruar së bashku rreth 71% të fitimit total të 10 bankave të sistemit (Banka e Bashkuar e Shqipërisë nuk ka raportuar ende rezultatet e tremujorit I).
Edhe treguesi kryesor i rentabilitetit, kthimi nga kapitali aksioner paraqitet në nivele dyshifrore për 9 nga 10 bankat që kanë raportuar informacion.
Banka me përfitueshmërinë më të lartë për tremujorin e parë ishte Raiffeisen Bank Albania, me një kthim nga kapitali (të mesatarizuar me bazë vjetore) në masën 27.7%, nivel ky mbi dy herë më i lartë krahasuar me tremujorin e parë të vitit të kaluar.
Ndjek me diferencë të ngushtë Fibank Albania, që për tremujorin e parë raportoi një kthim nga kapitali në nivelin 27.1%, në rritje të mëtejshme nga niveli 18.64% i një viti më parë.
Banka OTP Albania raporton një kthim nga kapitali në masën 25.41%, në rënie të lehtë nga niveli prej 27.35% i një viti më parë.
Tirana Bank renditet e katërta dhe e fundit që ka arritur një kthim nga kapitali sipër nivelit të 20%. Banka e grupit Balfin raportoi një kthim në masën 21.71%, në rritje nga niveli prej 17.07% i një viti më parë.
Vijon Intesa Sanpaolo Bank Albania, me një kthim nga kapitali në nivelin 18.89%, Union Bank, me 17.98%, Banka Amerikane e Investimeve, me 17.96%, Banka Kombëtare Tregtare, me 11.17%, Credins Bank, me 11.15% dhe ProCredit Bank Albania, me 2.89%.
Edhe tremujori i parë i këtij viti ka konfirmuar një përgjithësi një ecuri pozitive të sektorit bankar, e mbështetur nga efekti pozitiv neto i rritjes së normave të interesit dhe nga ruajtja e parametrave cilësorë të portofolit të kredisë.
Sipas raportimit paralel me të standardet e Bankës së Shqipërisë, fitimi neto i sektorit arriti vlerën e 6.78 miliardë lekëve, në rritje me 107% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Në vlerë absolute, ky ishte fitimi më i lartë historik i realizuar nga sektori bankar shqiptar për tremujorin e parë të vitit./E.Shehu
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor