Vendosni fjalën kyçe....

5 policë të plagosur, makina të djegura, serbët tubohen para komunave, çfarë ka ndodhur deri tani në veri të Kosovës


Kryetarët e rinj të komunave të Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, që të gjithë shqiptarë, bënë betimin më 25 maj pasi ishin zgjedhur në zgjedhjet e pjesshme vendore, ku nuk morën pjesën serbët e Kosovës, të cilët nuk i njohin zgjedhjet.

Megjithatë shkuarja e tyre në zyrë është shoqëruar me tensione të mëdha, ku nuk kanë munguar të shtënat me armë, bombat zhurmuese, gazi lotsjellës e dëme të shumta materiale. Qindra serbë u mblodhën në hyrje të zyrave shtetërore në komunat Zubin-Potok, Leposaviq e Zveçan, për të kundërshtuar hyrjen e kryetarëve të rinj të zgjedhur.

Të shtëna armësh janë dëgjuar në Zveçan, ndërsa po aty janë djegur disa makina të policisë. Policia e Kosovës ka përdorur gaz lotsjellës për t’i shpërndarë qytetarët e mbledhur para objektit të Komunës së Zveçanit.

Gjatë ditës, Policia e Kosovës ka njoftuar se po ndihmon kryetarët e zgjedhur për të hyrë në objektet komunale. Ilir Peci, kryetar i Komunës së Zveçanit, ka arritur të hyjë brenda objektit të Komunës, pas tensioneve në hyrje të objektit. Në hyrje të Komunës së Leposaviqit ishin vendosur dy kamionë, njëri prej të cilëve ka zbrazur një sasi gurësh para hyrjes së Komunës.

Policia e Kosovës është përpjekur ta administrojë tensionet e rrëmujën e krijuar para ndërtesave të komunave. Ajo ka përdorur gazin lotsjellës ndërsa në zonë ka pasur krisma armësh, shkruajnë mediat në Kosovë.

Serbët e mbledhur para godinave kanë brohoritur thirrje antishqiptare ndërsa kanë shkaktuar dëme të ndryshme, kanë djegur disa makina të policisë si dhe  kanë plagosur të paktën 5 efektivë policie.

Sipas policisë së Kosovës, serbët e mbledhur para ndërtesave të komunës kanë lëshuar bomba zhurmuese. Sipas mediave, presidenti serb Vuçic, ka urdhëruar ushtrinë të kalojë në gatishmëri të lartë. Ndërkohë zyra e presidentes së Kosovës Osmani ka akuzuar Beogradin se mban përgjegjësi të plotë për trazirat në Kosovë.

Sipas shefit të kabinetit Blerim Vela, ‘strukturat ilegale dhe kriminale të Serbisë kanë marr urdhër për përshkallëzimin e situatës në terren. Protestuesit ‘paqësor’ që përdorin veprime hibridë dhe të dhunshme kundër zbatimit të ligjit. Dhuna nuk do të mbizotërojë. Serbia mban përgjegjësinë e plotë për përshkallëzim të situatës’, ka shkruar ai.

Trazirat në veri të Kosovës janë komentuar nga ambasadori amerikan në Prishtinë, Hovenier, i cili ka dënuar aksionin e Policisë së Kosovës duke bërë thirrje që ai të ndalojë menjëherë.

“SHBA-ja dënon aksionin e ndërmarrë nga autoritetet e Kosovës për t’iu qasur objekteve komunale në veri të Kosovës. Masa e dhunshme sot duhet të ndalohen menjëherë”, ka shkruar Hovenier në Twitter.