Vendosni fjalën kyçe....

Begaj vizitë zyrtare në Itali


Presidenti Begaj nisi sot një vizitë zyrtare dyditore në Itali. Kreu i shtetit u prit me nderimet e rastit nga homologu Sergio Mattarella.

Pas ceremonive të rastit, Begaj e Mattarella, zhvilluan një bisedë mes tyre pa praninë e delegacioneve e më pas kryesuan delegacionet zyrtare në një takim të zgjeruar.

Begaj vlerësoi marrëdhëniet historike e tradicionalisht miqësore midis dy vendeve, solidaritetin dhe gjendjen pranë njëri-tjetrit në momentet më të vështira e delikate, në pjesën më të madhe të historisë së dy popujve.

“Mirënjohje për vullnetin e palës italiane për të përmbyllur procedurat e marrëveshjes për sigurimet shoqërore dhe shprehu besimin se kjo marrëveshje do të bëhet shumë shpejt efektive, për të ndihmuar si shqiptarët ashtu edhe italianët që jetojnë e punojnë respektivisht në të dy vendet”, tha ai.

Begaj shprehu ngushëllimet për jetët e humbura e keqardhje për dëmet e mëdha të shkaktuara nga përmbytjet e fundit në Emilia Romagna.

Presidenti Begaj vlerësoi gjithashtu marrëdhëniet shumë të mira ekonomike e tregtare, dhe duke iu referuar Italisë si partneri kryesor e i privilegjuar tregtar dhe si një prej donatorëve kryesorë për Shqipërinë, nënvizoi se mundësitë janë edhe më të mëdha në këtë drejtim.

“Prania në rritje e sipërmarrësve italianë në Shqipëri dhe interesi për investime në sektorët strategjikë apo në projekte madhore rajonale si Gazsjellësi TAP e Korridori 8-të, janë dëshmia më e mirë në këtë drejtim, por që duhen promovuar edhe më shumë”, theksoi Begaj.