Vendosni fjalën kyçe....

DASH paralajmëron Kurtin: Ndërhyrja në veri do ketë pasoja në marrëdhëniet dypalëshe


Ashtu siç bëri më herët Sekretari i Shtetit Blinken, Departamenti Amerikan i Shtetit ka dënuar veprimet e qeverisë Kurti pas operacionit policor në veri të vendit.

Sipas DASH-it, Prishtina ka vepruar kundër këshillave të SHBA-së e BE-së. Sipas DASH-it, aksioni policor në veri ka përshkallëzuar ashpër e në mënyrë të panevojshme tensionet duke minuar përpjekje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Po kështu DASH paralajmëron Kosovën se këto veprime do kenë pasoja në marrëdhëniet dypalëshe.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënojnë ashpër veprimet e Qeverisë së Kosovës për të hyrë me forcë në ndërtesat komunale në veri të Kosovës, veprime që ajo ndërmori kundër këshillave të Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës. Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të ashpër dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën. I bëjmë thirrje kryeministrit Albin Kurti që të ndryshojë kursin dhe të gjitha palët të përmbahen nga çdo veprim i mëtejshëm që do të ndezë tensionet dhe do të nxisë konfliktin”, thuhet në reagim.