Vendosni fjalën kyçe....

Dumani raporton te ligjet: Politika do na sulmojë por unë nuk e ndjej presionin, kemi nën hetim çështje të rëndësishme


Drejtuesi i SPAK, Altin Dumani ishte sot në Komisionin Parlamentar të Ligjeve për të raportuar mbi ecurinë e punës së Prokurorisë së Posaçme.

Dumani tha se politika do ushtrojë presionin dhe sulmin e vet por që ai nuk e ndjen këtë presion në punën e tij.

“Politika ka punën e vet, do na sulmojë! Unë se ndjej presionin në punën time”.

Ai tha se askush nuk ka ‘imunitet’ për prokurorinë e posaçme dhe gjithkush ka shkelur ligjin do të hetohet.

Dumani bëri me dije se janë disa çështje nën hetim për zyrtarë të lartë dhe koha do tregojë rezultatet e tyre.

“Pritshmëritë janë shumë të mëdha nga të gjithë. Ne jemi të vetëdijshëm. Unë si drejtues por edhe prokurorët. Patjetër që ne në ato projeksionet tona vlerësojmë se do të kemi raste të tilla, kur SPAK do të ushtrojë ndjekjen penale dhe do të ngrejë dhe akuzë ndaj zyrtarëve të lartë të cilët kanë shkelur ligjin. Këtë do t’ia lëmë kohës. Ne pas një viti do të jemi sërish këtu por ajo që jua them me bindje se askush nuk ka asnjë imunitet nga ndjekja penale për ne. Ne kemi nën hetim disa çështje të rëndësishme dhe koha do të tregojë rezultate tona”, tha Dumani.