Vendosni fjalën kyçe....

Gërryente shtratin e lumit Mat për inerte, arrestohet 32-vjeçari, sekuestrohen makineritë e rënda


Një 32-vjeçar është arrestuar nga policia e Lezhës pasi u kap duke gërryer gjatë natës, me mjete të rënda, shtratin e lumit Mat, me qëllim marrjen e kundërligjshme të inerteve.

Policia i ka sekuestruar edhe 2 kamionë dhe 1 ekskavator.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë, të mbështetura nga inteligjenca informative, për një rast të krimeve mjedisore, pranë lumit Mat, kanë organizuar menjëherë punën për përcaktimin e autorësisë së këtij rasti, si dhe për zbardhjen e plotë të rrethanave të tij.

Nga kontrollet e zhvilluara edhe gjatë natës, u kap në flagrancë dhe u arrestua shtetasi R. N. 32 vjeç, banues në Lezhë, i cili po gërryente me mjete të rënda (kamionë dhe ekskavatorë), shtratin e lumit Mat, me qëllim marrjen e inerteve, në kundërshtim me ligjin.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 2 kamionë dhe 1 ekskavator që dyshohet se përdoreshin për këtë veprimtari të kundërligjshme.

Vijojnë veprimet hetimore, në bashkëpunim me Prokurorinë, për identifikimin dhe arrestimin e shtetasve të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë rast.

Gjithashtu, kontrollet vijojnë në zonën bregdetare, në zonat e mbrojtura si dhe në çdo terren të qarkut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve mjedisore.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës Shkallës Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme”-njofton policia.