Neuralink, kompania e implanteve të trurit të Elon Musk, e cila shpreson të përdorë teknologjinë e saj për të trajtuar sëmundje si paraliza dhe verbëria, është lejuar të kryejë prova te njerëzit pasi mori miratimin nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave të SHBA (FDA), njoftoi firma të enjten.
“Ne jemi të ngazëllyer të ndajmë lajmin se kemi marrë miratimin e FDA-së për të nisur studimin tonë të parë klinik në njerëz,” tha Neuralink në një postim në Twitter.
Musk kishte parashikuar në disa raste të mëparshme se teknologjia do lejohej për testim, por një aplikim i mëparshëm në fillim të vitit 2022 u mohua nga FDA, thanë shkencëtarët që punuan në projekt për Reuters në mars.
Miratimi është ‘një hap i parë i rëndësishëm që një ditë do lejojë teknologjinë tonë të ndihmojë shumë njerëz,’ tha kompania, dhe është ‘rezultat i punës së jashtëzakonshme nga ekipi Neuralink në bashkëpunim të ngushtë me FDA-në’.
Musk ka deklaruar më parë se ambicia e tij është që Neuralink ‘të rivendosë funksionalitetin e plotë të trupit tek dikush që ka një palcë kurrizore të prerë’.
Neuralink thotë se nuk ka ende plane për të filluar rekrutimin e pjesëmarrësve, ndërsa FDA nuk ka komentuar zyrtarisht vendimin e saj për të miratuar teknologjinë për testimin e njerëzve.