Nga Edvin Kulluri
Prej dy ditësh është hapur një debat i madh për vendimin e qeverisë për rritjen e pagave të administratës, drejtuesve të lartë shtetërorë dhe në veçanti deputetëve e ministrave! Si ish zyrtar e them pa asnjë dyshim se të treja kategoritë paguhen pak për pozicionet që kanë e punën që duhet të bëjnë. E në kontekstin e rritjes së kostos së jetesës, kjo rritje është akoma më e arsyeshme.
Por….. , ka një por! A e bëjnë punën e tyre siç duhet administrata, drejtuesit e institucioneve dhe parlamentarët? Fatkeqësisht jo! Administrata sërish është politizuar thellësisht pas sabotimit nga PS të ligjit konsensual të 2013 duke u kthyer si asnjëherë në “çerdhe të partisë”!
Më keq akoma rrogat do u rriten edhe mijëra ish pjesëtarëve të administratës që paguhen në shtëpi pasi janë larguar padrejtësisht nga puna. E më keq akoma do paguajmë më shumë mijëra militantë të PS që janë rekrutuar për qoka politike pas fryrjes abuzive të administratës pas 2014.
Së dyti, drejtuesit e lartë të institucioneve janë produkt i çbalancimit politik të frikshëm, duke nisur që nga Presidenti që duhet të kuptojë se qëndron në atë zyrë edhe për të refuzuar ligje e vendime të mazhorancës që cenojnë parime të Kushtetutës. Mos mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare në kohë kur ndodhën sulmet kibernetike prej hackera-ve ishte gabim i rëndë në cilësinë e kryetarit të KSK!
Së treti dhe më e rëndësishmja. Qeveria dhe deputetët. Të dyja palët janë produkt i autokracisë së kryetarëve të partive. Më së shumti deputetet nuk përfaqësojnë sovranitetin popullor pasi janë të emëruar dhe jo të zgjedhur. Sot nuk kemi një parlament të zgjedhur nga qytetaret por të emëruar nga listat e mbyllura të Edi Ramës, Lulzim Bashës dhe Ilir Metës për shkak të ndryshimeve kushtetuese të 2008 dhe kodit zgjedhor të listave të mbyllura.
Parlamenti ynë jo vetëm që nuk kontrollon qeverinë por kontrollohet nga qeveria duke përmbysur parimin e kontrollit dhe ekuilibrit mes pushteteve. Siç thuhej në raportin e pardjeshëm të TI, jemi në “demokraci hibride”!
Ndaj në parim kjo rritje është e drejtë, konkretisht është e patolerueshme.