Vendosni fjalën kyçe....

Shkëmbimi i zjarrit në kufirin Shqipëri-Kosovë, policia arreston 5 sirianë dhe 1 algjerian, shpallet në kërkim një tjetër


Policia e Shtetit ka dhënë informacion zyrtar mbi goditjen e grupit që drejtonte dhe organizonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi me destinacion final shtetet e BE-së.

Të armatosur organizonin dhe drejtonin veprimtarinë kriminale të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga vendet e treta, përmes kufijve të gjelbër, mes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, vihen në pranga 6 shtetas sirianë dhe algjerianë, si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër algjerian.

Në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, disa prej këtyre shtetasve kanë hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.

Pas disa orësh ndjekje nga shërbimet e Policisë vendore dhe kufitare të Kukësit, duke koordinuar veprimet me Policinë Kufitare të Kosovës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 6 prej tyre, si dhe shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër.

Në pranga të policisë ranë shtetasit: A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane u shpall në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.

Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të PKK Morinë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një grup të mirëstrukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte këtë veprimtari kriminale, kundrejt fitimeve, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Strukturimi”.

Në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.

Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasit :

-A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.

Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim”-njofton policia.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

09:53: Shkëmbim zjarri në kufirin Shqipëri- Kosovë mes policisë dhe grupit të trafikut të emigrantëve, disa të arrestuar

Një shkëmbim me armë zjarri ka ndodhur në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës.

Gazetarja Klodiana Lala raporton se shkëmbimi ka ndodhur mes policisë dhe një grupi trafiku të qenieve njerëzore.

Nga shkëmbimi nuk ka pasur të lënduar, ndërkohë uniformat blu kanë arrestuar disa persona të cilët dyshohen se merreshin me trafik qeniesh njerëzore.

Një prej personave ka arritur të largohet.