Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në veri, Osmani i del krah Kurtit, Haradinaj kundër


Teksa ndërhyrja e policisë së Kosovës në katër komuna në veri të vendit ka çuar në protesta të serbëve e reagim të ashpër nga Uashingtoni e Brukseli, presidentja e vendit Vjosa Osmani ka mbështetur veprimet e qeverisë.

Ajo shkruan se sovraniteti i integriteti territorial i vendit është i pacenueshëm e mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara nga ligji e Kushtetuta.

Ajo thekson se veprimet e policisë ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiçit janë të ligjshme.

“Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm, ndaj mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me Kushtetutë dhe me ligj. (Neni 2 i Kushtetutës). Veprimet e Policisë së Kosovës ndaj strukturave ilegale e bandave kriminale të Vuçiqit janë legjitime, në realizim të detyrave të tyre kushtetuese dhe në mbrojtje të të gjithë qytetarëve, pa dallim. Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë. Bashkë, jemi gjithnjë më të fortë!” – shkruan Osmani në facebook.

Ndërkohë kreu i AAK-së Ramush Haradinaj, i ka dalë kundër aksionit të fundit në veri duke thënë se nuk e mbështet atë që e quan eksperiment të kryeministrit Kurti në veri pa bashkërendim me partnerët ndërkombëtarë.

“Institucionet e sigurisë të afta për punën e tyre ligjore, por Qeveria totalisht e paaftë në promovimin dhe mbrojtjen e interesit shtetëror të Kosovës. E kam mbështetur Kurtin për bashkërendim me SHBA dhe NATO drejt marrëveshjes për njohje reciproke me Serbinë. Por, nuk mbështes eksperimentet e tij që po synon t’i realizojë pa partnerët ndërkombëtarë.” – ka thënë Haradinaj.