Vendosni fjalën kyçe....

Basha: Berisha s’reflektoi pavarësisht tërheqjes sime, interesi personal s’mund të kthehet në pengesë për demokratët e shqiptarët


Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka deklaruar se nuk është penduar për t’u tërhequr nga drejtimi i partisë një vit më parë.

Pas takimit me një grup të rinjsh në Shkodër, ai shkruan se e mori vendimin për të kërkuar reflektim nga Sali Berisha, ndërsa thekson se jo vetëm që reflektim s’ka pasur, por sot pas 14 majit gjërat janë edhe më keq.

“Kënaqësi e veçantë për mua sot të bashkëbisedoja me të rinj dhe të reja shkodranë. Energjia e tyre është sot shpresë për të ndryshuar realitetin politik, por edhe për t’i dhënë një dimension të ri politikbërjes, ku alternativat, idetë, vizionet të jenë në qendër e jo balta, mashtrimet e sulmet për interesa personale. Ju përgjigja shumë pyetjeve të tyre të cilat në fakt më janë bërë vazhdimisht. Nuk jam bërë pishman për vendimin e marrë për t’u tërhequr një vit më parë, sepse një nga detyrimet kryesore, sprova e lidershipit është kur gjërat janë keq, a sakrifikon veten apo të tjerët. Është lidership i rremë ai që sakrifikon të tjerët për interesat e veta. Vendimin e mora për të kërkuar reflektim nga ata që e sollën punën deri këtu. Kjo nuk ndodhi. Gjërat sot janë më keq. 14 maji është provë për këtë!” – shkruan Basha.

Ai shton më tej se vendimi i 9 shtatorit për përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar ka qenë i drejtë demokratët e për PD-në pasi kjo e fundit s’mund të jetë alternativë fituese nëse humb aleancën me Perëndimin. Në fund të statusit të tij Basha shkruan se interesi personal s’mund të kthehet në pengesë për demokratët e shqiptarët që duan ndryshimin.

“Sot është e qartë se vendimi i 9 shtatorit ka qenë i drejtë për demokratët dhe Partinë Demokratike. Si mund të jetë PD alternativë fituese nëse e humb aleancën me Perëndimin?! Ajo nuk mund të vijë në

 pushtet, nuk mund të mbijetojë ose të ketë sukses pa një aleancë me SHBA, Britaninë e Madhe dhe Bashkimin Europian. Tani ka ardhur koha t’i hapim sytë të gjithë, sepse interesi personal nuk mund të kthehet në pengesë për të gjithë demokratët dhe shqiptarët që duan ndryshimin.” – mbyll reagimin Basha.