Ish-kreu i PD-së Basha tha sot gjatë një takimi me të rinjtë në Shkodër se ishte përpjekur ta bindte Sali Berishën të merrte vendimin e duhur pas shpalljes non grata nga SHBA-ja ndërsa theksoi se demokratët s’mund të vijnë në pushtet pa aleancë me Uashingtonin.
“S’do kisha humb kaq shumë kohë për tu përpjekur për ta bind që të merrte vendimin e duhur. E kam kuptuar sidomos gjatë këtij viti, ai s’ka pas në mend ta bënte këtë. Ne vendosëm një standard, për Tom Doshin, Vangjush Dakon, për non gratat e tjerë dhe në rastin kur ndodhi në shtëpinë tonë, unë nuk u nguta të thoja i njëjti standard, siç duhej të thoja. U ulëm dhe i thashë, nuk mundet që ky problem ta marrë me vete PD-në dhe reagimi i tij ishte që s’do marrë PD në këtë proces, por bëri të kundërtën dhe ja ku jemi. Në shtator vendimi do ishte ai, ai ishte vendimi i drejtë për demokratët dhe PD, nuk mund të jetë PD nëse e humb aleancën me Perëndimin. S’mund të vijë në pushtet pa një aleancë me SHBA. Interesi personal nuk mund të kthehet në pengesë për të gjithë demokratët dhe shqiptarët që duan ndryshimin”, tha Basha.
Ai sqaroi se nuk i është përgjigjur Sali Berishës për të mos lejuar që nga përplasja të përfitojë qeveria.
Basha tha gjithashtu se nuk mund t’i shkonte nga pas fushatës së shpifjeve e baltës së Berishës.
“Më pyesin shpesh: Pse nuk i je përveshur siç të është përveshur. E para sepse, kush do përfitonte nga kjo. Dua t’iu heq çdo dilemë. Nuk kam heshtur se s’kam çfarë them për sulmet etj. Kam heshtur se kam qenë i vetëdijshëm që hidh baltë njëri dhe tjetri kjo do thellonte ndarjet mes demokratëve. Koha dhe e vërteta janë të lidhura me njëra-tjetrën. Koha e ka nxjerrë të vërtetën për të. Se kam pasur fare të lehtë të hesht. Por e dyta, se me këtë kulturë politike kemi vite. Njerëzit janë të neveritur nga kjo gjuhë politike. Sulmet, shpifjet dhe denigrime që i kam dëgjuar nga Rama tani i dëgjoj nga goja e dikujt që e kam pasur për 9 vite krah. Papritur filloi të riciklonte të njëjtat kundër meje. Pse? Sepse më 9 shtator unë duhet të merrja një vendim të vështirë por të domosdoshëm. Ai vendim na kanë ndarë. Ky vendim bazohet nga një vendim kokëfortë. Kjo është sprova e lidershipit. Sepse lider mbetet lider edhe kur s’është më. Apo edhe nëse beson që ajo gjëja është e padrejtë. Ky vendim nuk u mor në emrin tuaj, në emër të demokratëve. Kjo na kanë ndarë pastaj pjesa tjetër është pasojë. T’i shkoja nga mbrapa fushatës së baltës këtë se bëj dhe nuk e kam bërë. Kjo është kultura e mbrapshtë, merren me njerëzit dhe jo çështjet.” – tha Basha.