Vendosni fjalën kyçe....

Projektvendimi për shkrirjen e Studimeve Albanalogjike, reagon Senati i institucionit: Do ndjekim rrugët ligjore për ta ndaluar, ne punojmë në këtë fushë për të gjitha trojet shqiptare


Senati i Akademisë së Studimeve Albanologjike ka reaguar për projektvendimin e qeverisë lidhur me mbylljen e veprimtarisë së këtij institucioni.

Në një deklaratë për mediat, akademiku Luan Përzhita ka thënë se një vendim i tillë është në kundërshtim me rregullat. Ai tha se vendimi ende nuk është fakt i kryer dhe se do të ndiqen të gjitha rrugët ligjore për mos ta lejuar diçka të tillë.

“Në dijeninë time nuk mund të ndërpritet vijimësia e punës së rektorit, vetëm në raste të jashtëzakonshme. Për një normalitet, kjo është në kundërshtim me rregullat. Nuk jemi përpara një fakti të kryer, jemi në procedurë, pasi Këshilli i Ministrave ende nuk ka vendosur. Ne mendojmë se nuk ka humbur arsyeja. Ne punojmë në këtë fushë për të gjitha trojet shqiptare dhe më gjerë”- është shprehur Përzhita.

Ai tha se në projektvendim ka një tendencë e cila nuk dihet kujt i shërben dhe në rast të miratimit atëherë nuk do të ketë më Studime Albanalogjike.

Në një shkresë të firmosur nga rektori, Luan Përzhita, kërkohet anulimi i këtij projektvendimi me argumentimin se shkelet ligji për Arsimin e Lartë dhe Kërkimin Shkencor në Shqipëri si dhe vetë ligjin për Akademinë e Shkencave.