Vendosni fjalën kyçe....

Tabaku: PD-së i duhet një fytyrë e re, kreun do e zgjedhë kryesia


Deputetja e PD-së Jorida Tabaku tha se partia duhet të identifikohet me një fytyrë të re dhe të ketë një pamje tjetër.

E pyetur nëse do garojë për kreun, ajo tha se PD-ja nuk ka pse të jetë  partia e njëshit por duhet të hapet dhe të ketë një vendimmarrje më të gjerë.

E ftuar në rubrikën ‘Kjo Javë’ në News24 Tabaku tha gjithashtu se nuk duhet nxituar në procesin e reformimit pasi kësisoj mund të humbet mundësia e bashkimit të demokratëve.

“Unë në PD i kam fituar gjërat, ndoshta kam ecur më ngadalë, por rruga është edhe më e gjatë. Po i dëgjoj të gjitha palët dhe në këtë moment ka rëndësi që të gjejmë një zgjedhje që e zgjeron PD dhe në diskutime duhet të jenë të gjithë deputetët, apo Kryesia. Javën e kaluar kemi pasur një mbledhje dhe kemi ndarë mendime se kush është më e mira tani. Zgjidhja më e mirë do të ishte të kishim një grup njerëzish pa u nxituar për të future partinë nga një betejë në tjetrën. Besoj që në fund të javës tjetër do të kemi arritur diçka që është e konsultuar me të gjitha. PD nuk ka pse të jetë partia e njëshit, duhet të identifikohet me një fytyrë të re dhe një pamjet të re. Dhe për këtë duhet të ketë një proces normal. Në fund të javës tjetër do të ketë një zyrtarizim. Nuk ka rëndësi se kush bën çfarë, por të japim një mesazh ndryshe. Besoj se duhet të lëvizim nga qasja e individit dhe duhet një vendimmarrje më e gjerë. Dhe e vendos Kryesia e PD se kush do ta drejtojë. Nëse nxitohemi tani, e humbim mundësinë e bashkimit të demokratëve në bazë, kjo është ajo që i referohem kur them partia duhet të bashkohet në bazë.” – tha Tabaku.