Vendosni fjalën kyçe....

Tensionet në veri të Kosovës çojnë në ‘përplasje’ të ashpra, çfarë ka ndodhur deri tani (Kronologjia e zhvillimeve)


Përpjekja e krerëve të zgjedhur shqiptarë të komunave me shumicë serbe në veri të vendit për t’u futur në zyrat e tyre shkaktoi tensione të larta e përplasje jo vetëm mes serbëve të Kosovës e autoriteteve shtetërore po edhe një reagim tejet të ashpër të Uashingtonit zyrtar ndaj Prishtinës.

Mëngjesin e djeshëm, krerët e katër komunave në veri, që fituan në zgjedhjet e pjesshme vendore u nisën drejt zyrave për të marrë detyrën.

Kjo çoi në tubim e reagim nga ana e serbëve të Kosovës që duhet thënë nuk morën pjesë në zgjedhjet e fllimit tëmajit dhe nuk e njohin rezultatin e tyre.

Ata dogjën disa makinë të policisë, plagosën 5 efektivë thyen xhama si dhe bllokuan hyrjet e godinave të komunave në shenjë proteste, teksa krerët shqiptarë të zgjedhur shoqëroheshin nga policia.

Aksioni policor shkaktoi një reaksion zinxhir reagimi tejet të ashpër nga SHBA-ja. I pari që dënoi aksionin policor dhe kërkoi ndaljen e menjëhershme të tij ishte ambasadori amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

Postimi i tij në Twitter u pasua një qëndrim edhe më i ashpër nga Sekretari i Shtetit Blinken e më pas edhe nga Departamenti i Shtetit. Ata jo vetëm që kërkuan ndaljen e menjëhershme të aksionit të policisë por paralajmërua edhe se këto veprime ‘të pakëshilluara’ do ndikonin në marrëdhëniet dypalëshe.

Kryeministri Kurti nga ana e tij, nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me qëndrimet amerikane por në dy takime me zyrtarë që përfaqësojnë KFOR-in dhe QUINT-in, po asnjëri prej tyre amerikan, theksoi se policia e Kosovës ka qenë në përmbushje të detyrave të saj dhe se synimi i qeverisë së tij është vetëm krijimi i kushteve për kryetarët e zgjedhur të komunave që të marrin detyrën.

Ndërkohë analisti i njohur i çështjeve rajonale Janusz Bugajsi dhe Kongresmeni demokrat amerikan Ritchie Torres kanë kritikuar ashpër qëndrimin e Sekretarit të Shtetit Blinken.

I pari ka theksuar se mbështetja amerikane për presidentin serb Vuçiç po destabilizon rajonin. Kongresmeni Torres nga ana e tij theksoi se ishte i zhgënjyer që Sekretari Blinken sulmonte publikisht një aleat të SHBA-së.

Një reagim pati edhe Brukseli zyrtar, që ishtë më i butë se qëndrimi amerikan. Teksa dënoi dhunën ndaj institucuioneve dhe misionit të EULEX-it, BE-ja bëri thirrje për ndalimin e aksionit policor dhe rikthimin e bisedimeve.

Ndërkohë ditën e djeshme, presidenti serb Vuçic, urdhëroi ushtrinë që të kalonte në gatishmëri lidhur me tensionet në veri të Kosovës.

Nga brenda vendit, presidentja Osmani mbështeti kryeministrin Kurti dhe veprimin e institucioneve në veri duke akuzuar Beogradin për orkestrimin e dhunës ndërsa kreu i AAK-së tha se nuk i mbështet ‘eksperimentet’ që Kurti po i bën pa partnerët ndërkombëtarë.