Kandidati për president të Turqisë, Kemal Kilicdaroglu, ka deklaruar se është ‘haram’ të votosh për presidentin Rexhep Tajip Erdogan, duke shtuar se ‘myslimanët e sinqertë’ nuk do e bëjnë këtë gjë. Sipas sondazheve, Erdogan, pritet të mposhtë Kilicdaroglu në balotazhin e së dielës.
“Mos mëkatoni duke votuar për Erdoganin”, u bëri thirrje Kilicdaroglu besimtarëve gjatë një paraqitjeje në filialin turk të Fox News të shtunën.
“Një musliman i sinqertë nuk do e bënte një mëkat kaq të madh,” shtoi ai.
Thirrja e Kilicdaroglu ndaj fesë është jashtë karakterit për politikanin sekularist. Partia e tij CHP mbështeti një ndalim të mbajtjes së shamive në institucionet publike deri vitin e kaluar, dhe vetë Kilicdaroglu ndjek një sekt pakicë të Islamit Shiit – Alevizmin – në vend të Islamit Sunit që ndjek rreth 90% e popullsisë së Turqisë.
Nga ana tjetër, Erdogan është një islamist dhe fitoi mbështetjen e konservatorëve fetarë kur shfuqizoi ndalimet e veçanta të shamisë në universitete dhe agjenci qeveritare që nga viti 2013 e tutje. Në prag të zgjedhjeve të këtij muaji, Erdogan e portretizoi veten si një mbrojtës i vlerave tradicionale islame kundër Kilicdaroglu më liberal, të cilin ai e përshkroi si ‘një person LGBT’ në një tubim tre javë më parë.
Rreth 50 studiues myslimanë kanë mbështetur fushatën e rizgjedhjes së Erdoganit, duke shkruar në një deklaratë se politikat e tij ‘kanë përmirësuar liritë personale, kanë eliminuar kufizimet e hixhabit, kanë lehtësuar ndërtimin e xhamive dhe kanë inkurajuar mësimin përmendësh të Kuranit’.
Erdogan mundi Kilicdaroglu në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale turke më 14 maj, duke fituar 49.5% të votave ndaj Kilicdaroglu 44.9%. Megjithatë, me asnjë kandidat që nuk siguroi më shumë se 50%, një raund i dytë votimi do zhvillohet të dielën pas eliminimit të kandidatit të tretë Sinan Ogan, i cili siguroi pak më shumë se 5% në raundin e parë.
Ogan ka mbështetur Erdoganin dhe presidenti aktual parashikohet të fitojë në zgjedhjet e nesërme.