Nga Mendrit Shehu
Historia e Ivit nis në rrugët plot zhurmë të Tiranës. Ishte shtatori i vitit 1992, një kohë kur era e ndryshimit ndihej kudo, në çdo gjethe peme, në çdo frymëmarrje, që i ngjasonte një mrekullie të vërtetë. Ivi , një i ri rreth të njëzetave, sapo ishte kthyer nga Gjermania, një vend që dikur e kishte strehuar si refugjat. Por diçka kishte ndryshuar brenda tij gjatë emigrimit, diçka e errët dhe shqetësuese.
Iv Dervishi, me kokën e rruar, me një kanotiere të errët dhe pantallona ushtarake, me syzet e errëta dhe xhupin e lëkurës, me këpucët e rënda ushtarake, bridhte në rrugët e Tiranës, duke ngjallur panik tek policët dhe admirim tek njerëzit që ishin të lodhur me regjimin. I sapo kthyer nga Gjermania ku shkoi si refugjat dhe u kthye si naziskin, ditën e Holokaustit, gjëmonte duke rrahur me shqelma një pastruese me ngjyrë në rrugën “Mine Peza” dhe duke thirrur “Heil Hitler”. Kjo nuk ishte hera e parë që Iv Dervishi, i vetë deklaruari nazist i kryeqytetit më komunist të Europës, jepte spektakël në kryeqytet, duke hutuar autoritetet dhe duke intriguar njerëzit.
Shumë e quanin “i çmenduri”, “i droguari”, apo edhe “spiuni”. Por Ivi fshihte diçka të madhe, diçka tronditëse për ata që duan të shohin përtej perdes. Sjellja e tij e veçantë fshihte një natyrë komplekse dhe enigmatike. Nën pamjen e tij të çuditshme, fillimisht Ivi zotëronte inteligjencë të përsosur ndaj shpesh e thërrisnin “Anglezi”.
Në atë periudhë qarkullonin thashetheme të ndryshme për rrethanat e çmendurisë së supozuar të Ivit. Disa pretendonin se i vëllai i tij që “punonte lart” i kishte siguruar një raport të sëmuri psikik, për ta lenë të jetonte i lirë. “Çmenduria” u bë çmimi që Ivi pagoi për lirinë që dëshironte, një çmim që çdokush në ato kohë të pasigurta mund të kishte qenë i gatshëm ta paguante.
I RRITUR NË “BLLOKUN” E AMBASADAVE
Megjithatë, historia e Ivit nuk fillon me shndërrimin e tij në nazist apo me aventurat e tij. Që në moshë të vogël, nga dritarja e tij, ai vështronte rrugicën e një blloku magjepsës, që s’kishte aspak ngjashmëri me vendet që frekuentonte përditë.
Ai ishte një vend magjepsës, nga e cila vinte erë parfumi “të jashtëm” e që atij i ishte thënë se është rruga e të “huajve”. E tërhoqi ajo rrugicë e mbushur me zërat e fëmijëve të veshur ndryshe e që flisnin një gjuhë të ndryshme nga e tija. Ai dëshironte të hynte në atë botë misterioze, të prekte bukurinë dhe të përjetonte emocionin që ngjallte.
Në Tiranë, në vitin 1990 ishin të vendosura vetëm 17 përfaqësi diplomatike, 4 përfaqësi tregtare, si dhe 5 rezidenca e 4 pallate banimi, por vetëm 3 prej tyre ishin ambasada perëndimore: RFGJ-ja, Italia, Franca, Greqia, Jugosllavia, Çekosllovakia, Rumania, Turqia, Polonia, RDGJ-ja, Hungaria, Bullgaria, Vietnami, Kuba, Kina, Koreja e Veriut, Algjeria, Ambasadori arab.
Aventurat e Ivit në “Bllokun” e Ambasadave janë nga më të pabesueshmet. Kalimtarët në rrugën Skënderbe , sidomos gjatë orarit të drekës, shikonin një djalë me kokë të rruar, me vetëm një rrip flokësh në mes. Kush ishte ky njeri, pse e “lejonin” që të sillej dhe të vishej në atë mënyrë.
Ai shoqërohej me vajzat e bukura të diplomatëve, një enigmë për ata që vështronin këtë skenë. Dhe në fakt ishin të shumta ato vajza shqiptare që do të jepnin gjithçka për të qëndruar me Punk-un e parë shqiptar, i cili refuzonte çdo gjë shqiptare dhe kërkonte vetëm shoqërinë e vajzave të huaja.
Playboy-i i Rrugës Skënderbe , siç u quajt Ivi , krijoi miqësi të shumta. Aventurat e tij përfshinin vajzën e ambasadorit çek, pastaj e lë për të zënë të dashur vajzën e ambasadorit bullgar, dhe më pas u lidh me vajzat e ambasadorit italian dhe jugosllav. Por “dashuria” e tij për vajzën e ambasadorit jugosllav përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme, kur ky i fundit ankohet në polici. Ivi ndalohet dhe rrihet nga uniformat blu. Dhuna e pësuar do ti shkaktonte plagë emocionale, që më pas do t’i sillte edhe një goditje nervore.
Një sëmundje që gjithsesi ishte larg konceptit të të çmendurit që i atribuonin të gjithë. Ivi hakmerret duke i shpuar gomat e makinës, dhe për këtë në polici i rezervojnë një raund të dytë “negociatash”.
Megjithatë, ndërveprimet e Ivit me vajzat e diplomatëve patën sollën ndryshime te ai. Pak nga pak, Ivi filloi të komunikojë me gjuhën e vajzave të ambasadorëve. Ishte vetëm 20 vjeç dhe dinte shumë mirë të fliste gjermanisht, anglisht, serbisht.
Pavarësisht përpjekjeve të aparatit të sigurimit për ta arrestuar, Ivi mbeti i lirë, i “mbrojtur” nga statusi i tij shëndetësor i paqartë. Edhe pse dhunohej sistematikisht nga policia, ai dashuronte vajza ambasadorësh, bridhte rrugëve të Tiranës komuniste, i veshur si nazist, duke nxitur frikë tek policia dhe kuriozitet tek popullata.
ARRATISJA
Ngjarjet e Ambasadave në vitin ’90, natyrisht nuk mund të linin pa prekur Iv Dervishin. Ajo që ndodhi në 2 korrik 1990, kur shtetasit shqiptarë u dyndën në ambasadat e huaja kishte të bënte me kundërveprimin e njerëzve më të guximshëm që prisnin ndryshimin e madh.
Më 3 korrik të vitit 1990, një kamion me katër burra kaloi murin e ambasadës gjermane në Tiranë, ngjarje që shënoi fillimin e përpjekjeve të mijëra Shqiptarëve që përpiqeshin të futeshin në ambasada me shpresën e një jete në liri.
Pikërisht ato ditë, ndërsa kangjellat e ambasadës gjermane u hapën për t’u futur makina e ambasadorit, Ivi shfrytëzoi rastin për të rrëshqitur me shpejtësi dhe futet në ambasadë, duke iu shmangur policëve të hutuar, të cilëve partia u kishte thënë se ishte thjesht një “budalla” i gjorë dhe që dhe nuk përbente rrezik. Brenda pak ditësh, ëndrra e tij u realizua dhe ai u gjend në Perëndim, në Botën e Lirë, atje ku të çmendurit si Ivi, konsideroheshin normalë.
Detajet e qëndrimit në Perëndim mbeten të mbuluara me mister. Ajo që dihet është se ai u dashurua me Monikën, një gjermane me të cilën thuhej se ishte martuar. Megjithatë, lidhja e tyre rezultoi jetëshkurtër, duke zgjatur vetëm gjashtë muaj. Arsyet e ndarjes janë të paqarta, por thuhet se përkeqësimi i shëndetit mendor të Ivit, dhe fillimi i frekuentimit të drogave kryesisht petidinës, (një qetësues i fortë kundër dhimbjeve, i ngjashëm me morfinën, pasi në rastet e rralla që përdorte heroinë apo kokainë, bëhej keq, shumë keq) e bënë bashkëjetesën të padurueshme.
KTHIMI DHE VDEKJA
Pas kthimit nga Gjermania dhe ndarjes me Monikën, dashurinë e tij të fundit, Ivi nuk largohet më nga Shqipëria. Në vitin 1996 shtrohet për herë të parë në repartin e toksikologjisë në spitalin ushtarak të Tiranës. Për dy javë, ai luftoi kundër varësisë së tij nga droga, një ves që e kishte ‘’pushtuar’’ që prej vitit 1992. Fatkeqësisht, ai nuk ja doli, pasi tashmë trupi i tij ishte shkatërruar tërësisht.
Ivi frymën e fundit nuk e dha në shtëpinë e tij të vjetër ku të mund të hidhte shikimin e fundit mbi rrugën e Ambasadave, por në një apartament diku afër 21 Dhjetorit, nën kujdesin e nënës së tij të dhembshur.
Një atak në zemër i dha fund jetës së jashtëzakonshme të njeriut më ekzotik të Tiranës komuniste. Në murin e dhomës ndodhej një fotografi e Monikës, ngulur mbi një zemër të kuqe – që ai e puthte çdo mëngjes gjatë ditëve të fundit të jetës.
Ivi , rebeli i viteve ’80, që e pagoi shtrenjtë lirinë e vet, sillet ende si një fantazmë në Rrugën e Ambasadës, ku djemtë e qethur dhe të veshur si ai, nuk përbëjnë më çudi, frikë dhe tmerr.
Dhe në ketë mënyrë, historia e Ivit, nazistit të parë shqiptar, që askush nuk ka mundur asnjëherë të kuptojë natyrën e veçantë të djaloshit që çmendi, për vite me radhë, partinë dhe sigurimin e shtetit mori fund, duke lënë pas një trashëgimi misteri, rebelimi dhe një kërkimi të pandalshëm për liri.
Historia e tij shërben si një kujtesë e komplekseve që gjenden brenda çdo individi, dëshirave të fshehura dhe barrës që dikush mund të mbajë në kërkim të lirisë.
VINI RE: Artikulli është pronë intelektuale e Emisar News