Presidenti i Republikës Bajram Begaj zhvilloi një vizitë edhe në komunën e Roshanos në kuadër të vizitës zyrtare në Itali.
Begaj u takua me autoritetet vendore të komunës si dhe rajonit të Abrucos, me përfaqësues të komunitetit arbëresh të Roshanos, por edhe me diasporën e re shqiptare të vendosur aty në tre dekadat e fundit.
Në këtë takim, Presidenti Begaj u nderua me titullin “Qytetar Nderi” nga ana e Kryetarit të Bashkisë së Roshanos, Dr. Simone Palozo.
Në fjalën e mbajtur, Presidenti Begaj vlerësoi përkushtimin e komunitetit arbëresh të Vila Badesës, që kanë ditur të ruajnë gjuhën, kulturën, traditat e të parëve.
“Shumë faleminderit për këtë mikpritje të ngrohtë e vëllazërore që organizuat me rastin e ardhjes time në Vila Badesa, dhe për më tepër të organizuar në këtë Kishë simbol të arbëreshëve dhe krenarie për çdo shqiptar,” tha në fjalën e tij Presidenti Begaj.
Duke folur për atmosferën familjare që çdo shqiptar përjeton në Vila Badesa, Presidenti Begaj tha se sheshi, kisha, rrugët, busti i Kryezotit të Arbërit, shtëpitë, gatimi, të gjitha rrezatojnë trashëgiminë arbërore dhe për këtë shprehu mirënjohje.
Presidenti u ndal dhe tek takimi me Presidentin Mattarella, duke nënvizuar se projekte të përbashkëta në interes të arbëreshëve priten të zhvillohen.
“Ju siguroj se një pjesë të rëndësishme të takimit me Presidentin Mattarella, ju kushtua vëmendjes ndaj arbëreshëve, për të cilën ju siguroj se ai kishte një respekt të jashtëzakonshëm, dhe lamë të zhvillojmë projekte të përbashkëta në interes të arbëreshëve. Në kushtet e sotshme, duhet të bëjmë akoma më shumë, që gjuha arbëreshe, traditat unikale fetare, të ruhen e trashëgohen edhe tek brezat e ardhshëm”, u shpreh presidenti Begaj.
Presidenti i Republikës, Bajram Begaj vizitoi gjithashtu dhe qytetin e Kietit, ku u prit nga autoritetet lokale, ndër të cilët Kryetari i Bashkisë të Kietit, Diego Ferrara, Presidenti i Provincës së Kietit, Francesco Menna, Prefekti i Chietit, Mario Della Cioppa etj.
Në fjalën e mbajtur gjatë takimit, Presidenti shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen që i është dhënë shqiptarëve për t’u integruar në Itali, por edhe në ndihmesën që i është dhënë Shqipërisë në proceset integruese.Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu ndihmën e qendrës spitalore të Kietit dhe Provincës së Kietit, në trajtimin e fëmijëve dhe pacientëve shqiptarë, veçanërisht në repartin e hematologjisë.
Në fund të takimeve të tij, Presidenti kërkoi që komuniteti shqiptar i vjetër dhe i ri në Itali, ashtu sikundër dhe komuniteti Italian në Shqipëri, të vazhdojnë të jenë një urë lidhëse e fortë mes Shqipërisë dhe Italisë.