Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria britanike ndërmerr fushatë sensibilizuese për të penguar emigrantët shqiptarë të shkojnë në Angli


Ministria e Brendshme në Britaninë e Madhe ka nisur një fushatë reklamuese që synon që të pengojë shtetasit shqiptarë që të emigrojnë drejt Anglisë.

Reklamat, të cilat do të shfaqen në shqip në Facebook dhe Instagram, do të paralajmërojnë njerëzit se do të “përballen me ndalimin dhe largimin” nëse udhëtojnë drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Qeveria tha se fushata, duke filluar që nga java e ardhshme, do t’i “bëjë të qarta rreziqet” me të cilat përballen emigrantët që udhëtojnë me gomone.

Sipas Home Office, Shqipëria është një “vend i sigurt dhe i begatë” dhe shumë shtetas po udhëtojnë nëpër vende të tjera, përpara se të bëjnë “kërkesa të rreme për azil kur të mbërrijnë”.

Fushata pason një lëvizje të ngjashme të mediave sociale të nisur nga qeveria në gusht të vitit të kaluar.

Ministri i Emigracionit Robert Jenrick tha se fushata do të “punojë në mënyrë proaktive përpara se njerëzit të nisen në udhëtime të rrezikshme dhe të panevojshme”.

Shqipëria ishte kombësia më e zakonshme që aplikonte për azil në Mbretërinë e Bashkuar, me 13,714 aplikime nga shtetas shqiptarë.

Jenrick tha: “Ne jemi të vendosur të ndalojmë anijet dhe fushata, e nisur në Shqipëri këtë javë, është vetëm një komponent i punës së Home Office për të ndihmuar në rrëzimin e miteve rreth udhëtimeve të paligjshme në MB, për të shpjeguar realitetein dhe për të luftuar gënjeshtrat, të shitura nga kontrabandistët që përfitojnë nga kjo tregti e ndyrë”.

Qeveria nuk do të thotë se sa pritet të kushtojë reklamimi.