Nxitja e prodhimit të energjisë nga burimet e rinovueshme parashikon ndër të tjera ofrimin e një çmimi të leverdishëm që garanton kthim të arsyeshëm investimi.
Enti Rregullator i Energjisë miratoi këtë të hënë nisjen e procedurës për përcaktimin e çmimit për fotovoltaikët me kapacitet të instaluar deri në 2MW dhe eolikët deri në 3MW.
Gjatë seancës së Bordit përfaqësues të Entit thanë se tashmë pjesa e burimeve të rinovueshme të energjisë mbulohet nga një ligj i ri i miratuar në vitin 2023 por që për të duhet të miratohen ende aktet nënligjore në mënyrë që të bëhet i zbatueshme.
Kështu metodologjia që do të vijojë të zbatohet për përcaktimin e çmimit në këtë fazë do të jetë ajo e miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave në vitin 2017 si dhe sipas kuadrit ligjor të të njëjtit vit.
Metodologjia mban në vetvete një përllogaritje të çmimeve mesatare për të nxjerrë një çmim të arsyeshëm për investimin që subjektet kryejnë.
Në fazat fillestare kjo përllogaritje çmimi ishte sipas çmimeve të siguruara nga Enti dhe referencave ndërkohë që tashmë për llogaritjen e çmimit shërbejnë shifrat reale që ofrohen nga subjektet në investime konkrete.
Për këtë përllogaritje referencë merren subjektet që kanë marrë miratimin paraprak për investimin që do të kryejnë.
Në këtë kontekst Enti hapi procedurën për miratimin e çmimit për fotovoltaikët dhe eolikët sipas të dhënave për të cilat kanë siguruar nga tregu duke miratuar një çmim sa më real.
Aktualisht çmimi i miratuar për energjinë që blihet nga shteti nga burimet fotovoltaike me kapacitet deri në 2MW është 71.2 euro/MWH ndërsa ai nga eolikët 75.64 euro/MWH.
Këto çmime kanë ardhur në rënie në raport me çmimet e miratuara në fillim nga Enti Rregullator i Energjisë kur për eolikët ishte 100 euro/MWh dhe për eolikët 76 euro/MWh.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor