Nga Habjon Hasani
Fill pas humbjes së zgjedhjeve të 14 Majit, opozita dhe një pjesë e konsiderueshme opinionistësh po përforcojnë idenë e instalimit të një regjimi në Shqipëri, madje duke bërë dhe krahasime të modeleve sunduese të Edi Ramës me Erdoganin apo me Viktor Orbanin, duke e zhytur arsyetimin në një paradoks.
Sepse Erdogan dhe Orban përshkruhen si “despot” nga raportet zyrtare amerikane dhe evropiane, kryesisht sepse janë sovranë ndaj politikave të SHBA-së, ndërsa Edi Rama dhe cilido lider politik nga 1991-shi e këtej nuk ka qenë sovran ndaj vullnetit të SHBA-ve.
Shqipëria është një shtet që mbijetesën e saj ekonomike e ka të bazuar në vasalitetin e borxhit të jashtëm dhe prej vitit 1991 shteti ynë siguron borxh në institucione “proxy” të kupolës perëndimore, me garant FMN dhe Bankën Botërore.
Shqipëria nuk ka një ushtri funksionale dhe nuk e siguron dot me forcat e saj integritetin territorial të vendit. Këto dy faktorë janë të mjaftueshëm për të vërtetuar patronazhin nga perëndimi dhe SHBA-të dhe mungesën e sovranitetit real të vendit tonë.
Rasti i Erdoganit dhe Orbanit nuk kanë asnjë lidhje me Edi Ramën dhe me Shqipërinë, sepse këto shtete kanë strukturë sovrane dhe mbi të gjitha ato kanë një kulturë dhe formim perandorak, çka e bën elitën e tyre sunduese të kthjellët dhe strategjike sa për të mos “gëlltitur” atë që Vladislav Surkov (lexo këtu) e quan “iluzioni i demokracisë” i prodhuar në katedrat e sofistikuara perëndimore.
Katedrat akademike ruse, kineze, turke e indiane, i kanë ezauruar me kohë nocionet shpjeguese për të ashtuquajturën “demokraci amerikane”, por në vende të vockla dhe të prapambetura si Shqipëria vijon këngën “orkestra e klubit të fshatit” e cila preferon të interpretojë situatën e krijuar bazuar në romantizëm, në iluzionin e demokracisë, më shumë se sa në realpolitikë dhe ekuilibër force. Ndoshta jemi jo rastësisht i vetmi shtet gjeografikisht evropian që universitetin e themeluam pas Luftës së Dytë Botërore.
Dëshmia e George Soros..
Dy vite më parë, disa javë para zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2021, ndodhi një episod së cilit nuk iu kushtua dhe aq rëndësi. Me një guxim të pazakontë për natyrën e tij perfide, Genc Ruli bëri një deklaratë publike nëpërmjet së cilës i kërkonte Sali Berishës të mos ishte pjesë e listës së kandidatëve të PD-së.
Berisha bëri një reagim energjik ndaj Rulit, refuzoi prerazi këshillën e tij.
Më vonë, pasi Berisha u shpall non-grata dhe u përjashtua nga Basha, ai për herë të parë foli për një komplot të Soros brenda PD-së dhe opozitës, më herët kishte folur përciptazi për “ndërhyrje” të Sorosit në reformën në drejtësi, por përciptazi, se në finale Doktori shkoi dhe e votoi reformën bashkë me Ilir Metën.
Situata precipitoi deri në deklarata të nivelit “do kërkoj shpalljen non-grata të Sorosit” dhe në një luftë verbale frontale me mogulin hebre.
Mirëpo këtu ka një ngërç, sepse kemi dëgjuar vetëm ankesat e Berishës për sulmet që atij i ka bërë Sorosi, por nuk kemi dëgjuar asnjëherë shpjegimet e Berishës për ndonjë kontratë që mund të ketë patur me Sorosin.
Vetë Soros në një intervistë të çmuar dhënë për Sokol Ballën në TCH në vitin 2005 (shikoje këtu), ka folur shumë hapur duke thënë se njerëzit e tij u atashuan pranë Berishës pas ujdisë që ai arriti me Berishën rreth vitit 2003, përfshirë dhe afrimin e Genc Rulit nëpërmjet marifetit KOP.
Në këtë pikë vlen të bëhen disa pyetje:
Cilat ishin principet e marrëveshjes mes Soros dhe Berishës në vitin 2003?
A ishte Lulzim Basha një prurje e Soros dhe a e promovoi Berisha Lulzim Bashën sipas një ujdie të qëruar për linjë trashëgimie të (bashkë) kontrolluar dhe nga Soros?
Cilat janë garancitë që ka kërkuar Berisha nga marrëveshja dhe cilat janë kushtet që ka vendosur Soros?
Dhe më e rëndësishmja:
A mos vallë Berisha, me zhbërjen e Lulzim Bashës ka thyer një ujdi strategjike me Soros dhe amerikanët, duke goditur linjën kryesore të trashëgimisë që ata kishin projektuar dhe më pas kultivuar në PD?
Variantet e përgjigjeve të këtyre pyetjeve veç sa mund t’i eksplorojmë me deduksion logjik, pasi asnjë nga personazhet e ujdisë nuk guxon të japë detaje, i vetmi që ka pranuar ekzistencën e ujdisë është George Soros në intervistën e famshme.
I gjithë ky parashtrim vlen në kontekstin e asaj që nisëm në krye mbi debatet e “regjimit të Ramës”, sepse investimi i Soros në çarjen dhe shkërmoqjen e PD-së nuk ka asnjë lidhje me Ramën, ujdinë e vitit 2003 me Berishën nuk e ka bërë Rama, por e ka bërë vetë Soros dhe Berisha.
Thënë këtë, rezulton se opozita nuk ka kurrëfarë problemi me ndonjë regjim autokratik të drejtuar nga Rama, opozita ka një problem në themelin e shtëpisë së vet me një ujdi të lidhur në vitin 2003 me amerikanët nëpërmjet instrumentit Soros.
Debatet ç’akorduese nëse Soros përfaqëson ose jo interesin amerikan, i injoroj automatikisht, për sa kohë shtete shumë më të sofistikuara dhe më funksionale si Kina, Izraeli apo Rusia, kanë qëndrim të qartë mbi atë se çfarë përfaqëson Soros, ai është një ndër instrumentet më thelbësorë të politikës së jashtme të perandorisë amerikane. Në mos më thelbësori.
Sigurisht që perandoria amerikane ka dhe instrumente të tjerë dhe askush nuk mund të pretendojë se energjia që harxhon kjo perandori në hartimin e politikave e aksioneve me shtete si Kina apo Rusia mund të krahasohet me mikro-energjinë që i duhet të harxhojë me shtete satelite dhe jo-sovrane si Shqipëria.
Është fakt se askush nuk ka kohë e nge të merret me Shqipërinë orë e minutë në Uashington, sikundër është fakt se Alex Soros vjen me një periodicitet çdo 3 muaj në Tiranë dhe takon kryesisht Edi Ramën dhe Erion Veliajn.
Përgjithësisht botëkuptimi që opinionistët shqiptarë kanë mbi mafian apo krimin e organizuar është i lidhur me mbresat e filmit “Oktapodi” dhe heroin Korrado Katani ose anti-heronjtë Espinoza e Santuço.
Pastaj ky botëkuptim përzihet dhe me iluzionin se “Amerika është fanar ndriçues i demokracisë” dhe shpesh të njëjtët e gjejnë veten në çarkun e iluzioneve të tyre sepse nga njëra anë shohin bosët e malavitës që punojnë me qeverinë tonë të pashqetësuar ndërsa autoritetet amerikane duken sikur nuk e kanë fare prioritet këtë përzierje të krimit me shtetin por vijojnë e merren me “plakun e lodhur Berisha”.
Në fakt ky është paradoks që ekziston vetëm teorikisht në mendjet e atyre që ushqejnë iluzione si për krimin e organizuar, ashtu dhe për Amerikën.
“Oktapodi” mund të jetë një krijim artistik i këndshëm i viteve 80-të, por ne nuk mund të operojmë dhe ta kuptojmë atë me të njëjtin mentalitet si të vitit 1993.
Sepse pikërisht atje në Itali ku ky film ka gjenezën, në vitet 2000 ndodhi një proces tepër i rëndësishëm i zbardhjes (së kufizuar) të lidhjeve mes qeverive të djathta italiane dhe organizatave kriminale.
Në Itali ka prokurorë të rrallë si Carlo Palermo (i ka shpëtuar tre atentateve), plejadë me Falconen e Borsellinon, që ka guxuar të sqarojë me mjeshtri në librat e tij nocionin e “nivelit të katërt”, ose e thënë shkoqur licensa amerikane dhe e shërbimeve inteligjente amerikane për të mposhtur armiqtë ose të padëshiruarit me çdo kusht.
Është i padiskutueshëm dhe i dokumentuar plotësisht roli i kuadrove kyç të shërbimeve italiane dhe atyre amerikanë në patronazhimin (në distancë) të marrëdhënies mes krimit të organizuar dhe qeverisë Andreotti, madje komisionet hetimore italiane kanë arritur ta gjejnë të strukturuar si platformë këtë patronazhim, pasi ka dëshmi të dorës së parë që flasin për “Operacionin Gladio”. Ky ishte një operacion ku amerikanët strukturonin çdo aset, të dukshëm e të padukshëm, përfshirë dhe krimin e organizuar, për të arritur qëllimet e tyre dhe për të asgjësuar rreziqet dhe pengesat, asokohe komunistët.
Thënë këto, është e qartë se mënyra se si e sheh perandoria amerikane krimin e organizuar jo vetëm që nuk ka asnjë lidhje me emocionet dhe mbresat naive të “Oktapodit”, por nuk ka asnjë lidhje as me dogmat mbi “demokracinë”që në Shqipëri shiten si qëllim madhor, kur në fakt janë thjesht pretekst dhe ambalazhim teorik i një procesi që e kryen çdo perandori:
Kontrollin absolut. Në çdo milimetër, deri në skajin më të humbur të perandorisë.
Kjo është mënyra si e kuptoj dhe faktorizimin e Tom Doshit, por edhe arrestimin e Fredi Belerit. Tom Doshi është “maskarai i tyre”, është një instrument provizor që për momentin u duhet. Ai mund të përfitojë nga licensa ekskluzive për të mbledhur vota me çdo metodë që rezulton efikase.
Ndërsa Fredi Beleri është maskarai i palës tjetër, ai nuk ka asnjë mundësi të përdorë të njëjtat metoda si kundërshtari politik, “licensa për të vrarë” është dhënë pikërisht kundër tij dhe grupimit të tij, ai në fakt është shënjestra.
Regjimi si “Grupi i Zharrzës”
Në ndryshim nga të gjitha vendet e tjera të rajonit ose kontinentit, aleanca e botës shqiptare me SHBA-në nuk është strategjike, por jetike.
Për herë të parë në historinë tonë, ne po jetojmë ekzistencën dhe dimensionin e lirisë nga loja e fqinjëve tanë jo-miqësorë, ekzistencë që mori hovin e vet nga raketat amerikane “Tomahok” që u derdhën mbi Beograd për t’i dhënë liri Kosovës.
Janë raketat amerikane ato që na e dhanë këtë dimension lirie dhe jo e ashtuquajtura “demokraci amerikane”.
Në vitin 1999 mbi qiellin e Beogradit nuk u zbrazën fletëpalosje që tregonin se sa e bukur dhe “sexy” është demokracia, në fakt u zbrazën raketa tepër të fuqishme vdekjeprurëse.
Thënë këtë, është e pakonceptueshme që në Shqipëri, nga pozitat ekzistenciale dhe jetike dikush të sfidojë SHBA-në në të njëjtën mënyrë dhe me të njëjtën terminologji siç bën Putini apo Xi Jiping.
Për ta shpjeguar këtë sfidë irracionale, po marr një shembulll elementar fare.
Nëse një palë tjetër më kërkon negociatë dhe dërgoj një përfaqësuesin tim në negociatë, çfarë do bëj dhe si duhet të sillem nëse pala tjetër me kushtëzon: “Nuk jam dakord që të bisedoj me këtë përfaqësues?”
Sigurisht që do u them që negociata mbaroi. Mirupafshim. Nuk mund ta përcaktosh dot ti se kush më përfaqëson mua.
Dhe nëse këtë princip e ndjek dhe një individ, po perandoria çfarë të bën nëse i godet përfaqësuesin? Si reagon perandoria?
Nga të gjithë receptorët që kemi deri në këtë moment, Soros e ka këtë status përfaqësues dhe kushtëzues jo vetëm në Shqipëri por deri dhe në Indi apo Kinë e Rusi e gjetkë.
Por nëse këto janë shtete rivale dhe jo-miqësore me SHBA-të dhe kanë deri diku luksin të kushtëzojnë Sorosin, si mundet që një minishtet jo sovran si Shqipëria, i lidhur me interesa jetike me SHBA-të, të trajtojë Sorosin si “non grata” apo armik të shpallur, njësoj siç bën Kina me Rusinë. (?!)
Ndaj dhe e kuptoj krejt ndryshe mënyrën se si duhet negociuar me Sorosin, është e patolerueshme dhe vetvrasje politike ta trajtosh atë me terma asgjësues e ta shpallësh armik (armik të kujt?), sikundër nga ana tjetër gjykoj se shumë nga projektet e planet që koncepton Soros janë krejt të gabuara për interesin tonë lokal, por ato duhen përballuar e kritikuar hapur, me kalibër të lartë në analize dhe argumentim dhe jo në një kontekst asgjësues e armiqësor, por me sens realpolitike dhe pragmatizmi.
Ç’akordimi total i opozitës ka ndodhur në vitin 2021 pasi erdhi çarja e PD-së dhe përjashtimi i Berishës, nga të gjithë receptorët që kemi deri më sot, rezulton se çarja nuk ka ardhur si pasojë e ndonjë presioni të “regjimit të Ramës”, por ka ardhur ekskluzivisht nga një ujdi me terma ende të panjohur ndërmjet Berishës dhe përfaqësuesit të perandorisë, Sorosit.
Edi Rama, pushteti i tij, krimi i organizuar, tarafi, kazanët e tepsitë e tij, janë thjesht instrumente të pozicionuar në funksion të kësaj çarje dhe në funksion të sqarimit të hesapeve dhe të ujdisë së vitit 2003. Njësoj siç ishin në Itali dhe Andreotti bashkë me Totto Riinën instrumente për të mbajtur të izoluar flukset e majta dhe komuniste në vitet 80-të.
Dhe për lehtësi arsyetimi shtroj dy pyetje:
Sa këllqe do kishte Edi Rama të bënte këto që po bën sot, nëse në krye të opozitës do ishte një kupolë që nuk ka ndonjë konflikt me SHBA-të?
Përpiquni të imagjinoni për një moment sikur këtë mbështetje që ka Edi Rama sot nga SHBA-të ta kishte Berisha me Metën, a nuk janë gjasat që Rama të nisej sërish për Paris?
Për pasojë të flasësh për regjim e ta interpretosh “regjimin” duke injoruar kontekstin thelbësor të konfliktit të Berishajve me SHBA-të është njësoj si të interpretosh simbiozën e shtetit Italian dhe mafias duke u bazuar në tekstin e këngës “Komisar Katani” të Grupit të Zharrzës. / Hashtag.al