Vendosni fjalën kyçe....

Dënohet me 14 vite burg ish-presidenti i El Salvadorit, 18  vite për ish-ministrin e Drejtësisë


Një gjykatë në El Salvador dënoi ish-presidentin Mauricio Funes dhe ministrin e tij të Drejtësisë me më shumë se një dekadë pas hekurave për lidhjet e tyre me grupet kriminale dhe mospërmbushje të detyrave, tha zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të hënën.

Funes u dënua me 14 vjet dhe ish-ministri i tij i Drejtësisë dhe Mbrojtjes, David Munguia, me 18 vite burg.

“Ne ishim në gjendje të verifikonim se këta dy ish-zyrtarë, të cilët kishin detyrimin të mbronin salvadoranët, negociuan jetën e tyre në këmbim të favoreve elektorale, duke vepruar si anëtarë të bandës”, tha në Twitter Prokurori i Përgjithshëm Rodolfo Delgado.

Funes, i cili qeverisi nga viti 2009 deri në 2014 dhe jeton në Nikaragua, iu dha nënshtetësia nikaraguane në vitin 2019. Kushtetuta e Nikaraguas thotë se asnjë shtetas nuk mund të ekstradohet.

Munguia u arrestua për herë të parë në vitin 2020 për dyshimin për shoqërim të paligjshëm dhe krime të tjera të lidhura me aranzhimin e supozuar të një armëpushimi midis bandave që synojnë reduktimin e vrasjeve në këmbim të përfitimeve të pazbuluara për organizatat kriminale.

Funes nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Munguia u tha gazetarëve duke lënë seancën se ai besonte se dënimi i tij ishte i bazuar politikisht dhe akuzat e pabaza.

El Salvador ka më shumë se një vit që jeton nën një gjendje të jashtëzakonshme të shpallur nga qeveria e Presidentit Nayib Bukele.

Masa, e cila ka çuar në arrestimin e më shumë se 68,000 personave që supozohet se janë anëtarë të bandës, është gjerësisht e popullarizuar në mesin e banorëve të El Salvadorit. Por ajo është kritikuar nga grupet e të drejtave të njeriut duke përmendur arrestime arbitrare, tortura dhe vdekje të të burgosurve në paraburgim.

Të dhënat zyrtare tregojnë se 5000 prej të burgosurve janë liruar, pasi autoritetet nuk gjetën lidhje me grupe kriminale.