Vendosni fjalën kyçe....

Kurti: Ndërkombëtarët e njohën rezultatin e zgjedhjeve, s’do dorëzohemi para milicisë fashiste të nxitur nga Beogradi


Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka akuzuar Serbinë se qëndronpas bandave të dhunshme që sulmuan ushtarët e KFOR-it, policinë e Kosovës dhe gazetarët.

Në një intervistë për CNN ai theksoi se nuk do e dorëzojë republikën demokratike përballë milicisë fashiste.

“Të gjitha trupat ndërkombëtare e njohën rezultatin e zgjedhjeve. Posa të njohësh këtë rezultat, atëherë kryetarët duhet të shkojnë në objektet e komunave. Kush tjetër duhet të shkojë në këto objekte, nëse jo kryetarët. Nuk do ta dorëzoj republikën demokratike para një milicie fashiste. Ne kemi shumë video dhe foto që shfaqin milicinë serbe duke qenë pjesë e bandave të dhunshme. Disa nga ata vijnë nga Kosova, por disa edhe nga Serbia. Serbia fqinje është autokraci pro-ruse. Ata kanë urdhëruar këtë të ashtuquajtur xhandarmëri, për të shkaktuar trazira në Kosovë.” – tha Kurti.

Po kështu kreu i qeverisë së Kosovës tha se nuk mund ta privilegjojë një komunitet të vetëm si ai serb vetëm sepse Beogradi kërkon të kompensojë bombardimin në kohën e Millosheviçit.

“Kemi një komunitet serb në Kosovë, që është 5% e popullsisë. Ne duam të jetojmë në një shoqëri multikulturore, por s’duam të kemi një minoritet të privilegjuar, sepse Beogradi do kompensim për bombardimin nga NATO-ja në kohën e Millosheviçit.” – shtoi Kurti.