Dronët ukrainas goditën zonat e pasura të Moskës të martën, tha Rusia në atë që një politikan e quajti sulmin më të rrezikshëm që nga Lufta e Dytë Botërore, ndërsa Kievi u godit gjithashtu nga ajri për herë të tretë në 24 orë.
Që kur Rusia dërgoi dhjetëra mijëra trupa në fqinjin e saj në shkurt 2022, lufta është zhvilluar kryesisht brenda Ukrainës.
Sulmet ajrore ndaj objektivave larg vijave të frontit janë shtuar kohët e fundit mes një ngërçi të çrregullt në terren me forcat ruse të ngulitura në lindje dhe jug të Ukrainës.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se tetë dronë të dërguar nga Kievi dhe që synonin civilët u rrëzuan ose u shmangën me bllokues elektronikë, megjithëse Baza, një kanal Telegram me lidhje me shërbimet e sigurisë, tha se më shumë se 25 ishin të përfshirë.
Mykhailo Podolyak, një ndihmës i presidentit ukrainas, mohoi se Kievi ishte i përfshirë drejtpërdrejt, por tha se ‘ne jemi të kënaqur të shikojmë ngjarjet’ dhe parashikojmë më shumë sulme të tilla.
Dy persona u plagosën ndërsa disa blloqe apartamentesh u evakuuan për pak kohë, sipas kryebashkiakut të Moskës. Banorët thanë se dëgjuan goditje të forta të ndjekura nga era e benzinës. Disa filmuan një dron duke u rrëzuar dhe një shtëllungë tymi.
Një breshëri me drone të martën herët në mëngjes kishte në shënjestër disa nga lagjet më prestigjioze të Moskës, duke përfshirë këtu ku Putin dhe elita kanë rezidenca. Më pas, Putin tha se sulmi më i madh i Ukrainës me dron në Moskë ishte një përpjekje për të frikësuar dhe provokuar Rusinë dhe se mbrojtja ajrore rreth kryeqytetit rus do forcohej.
Ukraina, tha Putin, kishte zgjedhur rrugën e përpjekjes ‘për të frikësuar Rusinë, qytetarët rusë dhe sulmet ndaj ndërtesave të banimit’.
Objektivat civile në Kiev dhe qytete të tjera të Ukrainës që nga ditët më të hershme të luftës janë goditur vazhdimisht nga dronët dhe raketat ruse.
Por e marta shënoi vetëm herën e dytë që kryeqyteti rus ishte nën sulm të drejtpërdrejtë, pas një sulmi të dukshëm me dron në Kremlin në fillim të këtij muaji, për të cilin Moska fajësoi gjithashtu Kievin dhe tha se kishte për qëllim të vriste Putinin.
Shtëpia e Bardhë tha se ishte ende duke mbledhur informacion mbi raportet për sulmet me dronë në Moskë, ndërsa përsëriti se Uashingtoni nuk i mbështet sulmet brenda Rusisë.
Uashingtoni është ‘përqendruar në sigurimin e Ukrainës me pajisjet dhe stërvitjet që i nevojiten për të rimarrë territorin e tyre sovran’, tha një zëdhënës në një deklaratë.
Ligjvënësi rus Maxim Ivanov e quajti atë sulmin më serioz ndaj Moskës që nga pushtimi i Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore, duke thënë se asnjë rus tani nuk mund të shmangë ‘realitetin e ri’.
“Sabotimi dhe sulmet terroriste të Ukrainës vetëm do rriten,” tha një ligjvënës tjetër rus, Alexander Khinshtein, i cili bëri thirrje për një forcimin radikal të mbrojtjes.
“Mos e nënvlerësoni armikun!”
Katër të vdekur nga sulmet e fundit ruse
Lufta ka vrarë dhjetëra mijëra njerëz në Ukrainë, ka çrrënjosur miliona, ka shkatërruar qytetet dhe ka shkaktuar kërdi në ekonominë globale.
Kivei tha se katër persona vdiqën rreth Ukrainës në sulmet e fundit të Rusisë të martën, me 34 të plagosur, përfshirë dy fëmijë.
“Rusia po përpiqet të na thyejë dhe të thyejë vullnetin tonë”, tha ministri i Brendshëm ukrainas Ihor Klymenko.
Në kryeqytet, Ukraina tha se rrëzoi më shumë se 20 drone Shahed të prodhuar nga Irani. Njëmbëdhjetë persona u lënduan.
Rusia ka sulmuar Kievin 17 herë në maj me dronë ose raketa, kryesisht gjatë natës, në një përpjekje të dukshme për të dobësuar moralin. Ukraina thotë se mbrojtja kundër raketave Patriot e furnizuar nga SHBA-ja po arrin një shkallë përgjimi 100%.
Kievi po premton një kundërofensivë të mbështetur me armë perëndimore të blera kohët e fundit në përpjekje për të përzënë pushtuesit rusë nga territori i pushtuar në atë që Moska e quan “operacioni i saj special ushtarak” për të “denazifikuar” Ukrainën dhe për të mbrojtur rusishtfolësit.
Ukraina e quan atë një rrëmbim toke imperialiste të nxitur nga kërkimi i saj për marrëdhënie më të ngushta me Perëndimin pas një historie të gjatë dominimi nga Moska.
Rusia pretendon se ka aneksuar katër rajone ukrainase në lindje dhe jug, por forcat e saj nuk kontrollojnë plotësisht asnjë prej tyre dhe aneksimet nuk janë njohur ndërkombëtarisht.
Pavarësisht kësaj, kryeministri rus Mikhail Mishustin tha se pothuajse 1.5 milion njerëz në rajonet Donetsk, Luhansk, Zaporizhzhia dhe Kherson kishin marrë tani pasaporta ruse.
Me Putinin që kërkohet nga Gjykata Ndërkombëtare Penale për t’u përballur me akuzat për krime lufte, ka pasur spekulime për pjesëmarrjen e tij të mundshme në një samit të gushtit në Afrikën e Jugut, ku autoritetet teorikisht do detyroheshin ta arrestonin atë.
I pyetur për këtë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se Rusia do marrë pjesë në takimin e vendeve të BRICS në “nivelin e duhur”, me hollësi të mëtejshme që do njoftohen. Grupi përbëhet nga Kina, Rusia, India, Brazili dhe Afrika e Jugut.
Ndërkohë Rusia vendosi gjeneralët më të lartë të Ukrainës në një “listë të kërkuar”, tha agjencia e lajmeve RIA.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters