Ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, ka njoftuar anulimin e pjesëmarrjes së Kosovës në stërvitjet ‘Defender Europe 2023’.
Lëvizja në fjalë është pasoja e parë për qeverinë e Kosovës, ndërsa pason reagimet e ashpra të ambasadorit amerikan, Sekretarit të Shtetit Blinken dhe Departamentit të Shtetit për tensionet në veri.
Sekretari Blinken pak ditë më parë i bëri thirrje kryeministrit Kurti që të ndalojë menjëherë aksionin në katër komunat në veri të vendit ndërsa tha se aksionet në fjalë do kenë pasoja në marrëdhëniet dypalëshë.
“Treguesi i parë i kësaj ishte vendimi që u mor natën e shkuar nga komandanti amerikan për Evropën për të anuluar pjesëmarrjen e Kosovës në Defender Europe 2023, gjë që ndodhi gjatë natës. Për Kosovën këto stërvitje kanë përfunduar. Ne i kemi kërkuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të ndërmarrë hapa të menjëhershëm për të shtensionuar situatën në veri. Ai nuk u është përgjigjur këtyre kërkesave. Prandaj, ne po shqyrtojmë se çfarë do të jenë veprimet tona të tjera.” – tha ai.
Tensionet në veri të vendit kanë qenë të larta prej disa ditësh pas përpjekjeve të katër krerëve shqiptarë të komunave në veri të vendit për të shkuar në zyrat e tyre. Kjo është pasuar me reagime të ashpra të serbëve që kulmuan me përleshjen e djeshme me forcat e KFOR-it ku 25 ushtarë u plagosën.
Lidhur me përplasjen SHBA-Kosovë, ambasadori amerikan Hovenier theksoi se shpreson që kryeministri Kurti të marrë parasysh kërkesën e Uashingtonit për situatën në veri.
Ai nënkuptoi se përgjigjia e SHBA-së në rast kundërshtimi nuk do mjaftohet vetëm me përjashtimin e Prishtinës nga stërvitja Defender Europe 2023.
“Më duhet të them se në këtë moment, nuk do të gjeni shumë entuziazëm nga ana e SHBA-së për t’ju përgjigjur interesave tjera të Kosovës, siç është angazhimi me shtetet mosnjohëse apo puna aktive për të avancuar trajektoren evropiane dhe euro-atlantike të Kosovës. Na vjen keq shumë që ka ardhur deri këtu puna, por më duhet të jem i sinqertë se kjo është situata. Shpresojmë që kryeministri Kurti të marrë këshillën tonë dhe të ndërmarrë disa veprime për të arritur depërshkallëzimin në veri, dhe të vazhdojë me çështjet prioritare që janë implementimi i plotë i marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit e jo shpërqendrimit dhe konfliktit të panevojshëm në veri.” – tha Hovenier më tej.