Protesta kundër kryetarëve shqiptarë të komunave me shumicë serbe Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq, u paralajmëruan edhe për sot.
Një ditë më herët, ushtarët e KFOR-it u përleshën me protestues serbë që refuzuan t’i binden thirrjes së misionit paqeruajtës për t’u larguar nga hapësira pranë komunës së Zveçanit.
Së paku 25 ushtarë të KFOR-it u plagosën, ashtu si edhe dhjetëra protestues.
Bashkimi Evropian dënoi dhunën në Zveçan, komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës, “në termat më të fuqishëm të mundshëm”.
“Aktet e dhunshme, të kryera ndaj trupave të KFOR-it, mediave, civilëve dhe policisë janë absolutisht të papranueshme”, tha shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell.
Përmes një postimi në Twitter, ai tha se BE-ja u kërkon autoriteteve të Kosovës dhe protestuesve që “menjëherë dhe pa kushte” ta shtensionojnë situatën.
“Ne presim që palët të veprojnë me përgjegjësi dhe të gjejnë menjëherë një zgjidhje politike përmes dialogut”, tha Borrell.
Ministria e Mbrojtjes e Kosovës njoftoi se, për shkak të situatës në veri të Kosovës, aktivitetet e parapara për sot në kuadër të ushtrimit ndërkombëtar “Defender Europe ’23”, anulohen.