Vendosni fjalën kyçe....

Vuçiç takime me ambasadorët e QUINT-it, Rusisë dhe Kinës pas përplasjeve në veri të Kosovës


Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, priti në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it – SHBA-së, Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë – ashtu si edhe kreun e delegacionit të Bashkimit Evropian në Beograd.

Në takim mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes i Serbisë, Millosh Vuçeviç, dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë, Millan Mojsilloviç, raporton Radio-Televizioni i Serbisë.

Vuçiç, gjatë ditës, do të takohet edhe me ambasadorët e Rusisë dhe Kinës.
Takimet vijnë një ditë pasi protestues serbë në Zveçan – komunë me shumicë serbe në veri të Kosovës – u përplasën me ushtarë të KFOR-it.

Protestuesit në këtë komunë, ashtu si edhe në dy të tjera, Zubin Potok dhe Leposaviq, protestuan kundër kryetarëve të rinj shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e jashtëzakonshme të prillit.

Protestat janë duke vazhduar edhe sot.

Mbrëmjen e së hënës, Vuçiç u bëri thirrje serbëve në veri të Kosovës që të mos përplasen me NATO-n.

Qeveria e Kosovës ka fajësuar Beogradin për “dirigjimin e turmës ekstremiste” në veri të shtetit.

Por, komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Angelo Michele Ristuccia kërkoi nga Kosova dhe Serbia që të marrin “përgjegjësinë e plotë” për ngjarjet që ndodhën më 29 maj në veri të Kosovës dhe “të mos fshihen pas narrativëve të rremë”.