Pasi ndihmoi Paris Saint-Germain të fitojë titullin e 11-të të Ligue 1 në fundjavë, Lionel Messi duhet të marrë disa vendime.
Me kontratën e tij me klubin parizien që mbaron në qershor dhe me marrëdhënien e tij me klubin që duket në një pikë të thyer, ka shumë spekulime rreth vendit ku argjentinasi do luajë futboll sezonin e ardhshëm.
Në një intervistë të fundit me Amanda Davies të CNN Sport, Messi tha se do vazhdojë të luajë derisa ende po e shijon këtë gjë dhe, në moshën 35-vjeçare, sigurisht që ka edhe disa vite për të dhënë.
Më pak se gjashtë muaj më parë ai u nderua me Topin e Artë në Kupën e Botës – çmimi që i jepet lojtarit më të mirë në turne – dhe ka shënuar 16 gola dhe ka dhënë 16 asiste në ndeshjet e kampionatit të këtij sezoni.
Mes thashethemeve për një marrëveshje fitimprurëse në Lindjen e Mesme dhe raporteve që e lidhin atë me një rikthim në Barcelonën e tij të dashur, CNN Sport eksploron drejtimet e ndryshme në të cilat ai mund të drejtohej ndërsa i afrohet muzgut të karrierës së tij.
Çfarë shkoi keq te PSG?
Messi mbërriti në kryeqytetin francez me shumë bujë. Ai do ishte pjesa që mungonte në enigmë; njeriu që e çon skuadrën drejt trofeut të parë të Ligës së Kampionëve. Ndërsa Messi u përballë me shumë dëmtime gjatë sezonit të tij të parë në Paris, ai gjithsesi arriti të tregojë shkëlqimin e tij. Ai e ndihmoi skuadrën të fitonte edhe një titull tjetër të Ligue 1, por PSG përfundimisht dështoi në Ligën e Kampionëve, duke u mposhtur nga kampioni i ardhshëm Real Madrid në raundin e 1/16-ave.
Sezoni i tij i dytë filloi shumë më mirë dhe lidhja e tij me lojtarë si Neymar Jr. dhe Kylian Mbappé ishte zili e skuadrave në mbarë botën.
Por pas paraqitjeve të tij magjepsëse në fitimin e Kupës së Botës për Argjentinën në dhjetor 2022, ai u përballë me më shumë beteja në Francë. Në mars, PSG u eliminua përsëri nga Champions League në raundin e 1/16-ave, këtë herë nga Bajerni i Mynihut.
Kjo gjë shkaktoi një fund të hidhur të sezonit dhe Messi ishte një nga disa lojtarë yje që u përball me një reagim armiqësor nga tifozët më vonë atë muaj.
Messi më pas u pezullua për dy javë pasi u largua nga Franca për të marrë pjesë në ngjarje promovuese në Arabinë Saudite; udhëtimi i paautorizuar nënkuptonte se ai humbi një seancë stërvitore.
Pavarësisht një fitoreje tjetër për titull, një lëvizje në një klub të ri duket më se e mundshme. Pyetja e madhe, megjithatë, është ku?
Rikthimi te Barcelona?
Klubi katalanas është vendi ku Messi u kthye nga djalë shkolle në legjendë sportive. Në moshën 17-vjeçare, ai bëri paraqitjet e tij të para nga 778 për ‘Blaugranat’, duke u bërë lojtari më i ri që përfaqësoi klubin në një ndeshje zyrtare në atë kohë.
Ai vazhdoi të thyente rekordin e golave të klubit dhe fitoi 35 trofe gjatë kohës së tij në Camp Nou – duke përfshirë 10 tituj ne La Liga dhe katër Liga Kampionësh.
Largimi i tij emocional u nxit nga gjendja e rëndë financiare e klubit në vitin 2021 dhe Messi ishte në lot ndërsa tha lamtumirë në konferencën e tij të fundit për shtyp.
Nën trajnerin e ri dhe legjendën e klubit, Xavi, Barcelona sapo ka fituar titullin e saj të parë në La Liga në katër vjet këtë vit, me klubin që ka filluar të duket më konkurrues.
“Për mua, nuk ka dyshim se nëse Messi kthehet, ai do të ndihmojë në nivelin e futbollit”, tha Xavi për gazetën SPORT me bazë në Barcelonë në një intervistë të fundit.
“Unë ia bëra të ditur presidentit Joan Laporta këtë. Nuk kam asnjë dyshim, nuk kam asnjë dyshim se ai do të ndihmojë sepse është ende një futbollist vendimtar, sepse ka ende uri, sepse është fitues, sepse është një lider dhe sepse, gjithashtu, është një lojtar ndryshe, ndryshe”, shtoi. Xavi, i cili tha për SPORT se ende flet me Messin.
“Ne nuk kemi një Barça në një nivel talentesh si viti 2010, për shembull. Dhe çfarë do sillte Messi? Ai do sillte talent. Pasimin e fundit, gjuajtjet, golat…, ai është një lojtar në një nivel tjetër. Si i tillë, dhe për shkak të mënyrës se si unë dua të luaj, ashtu siç dëshiron të luajë edhe stafi, për mua nuk ka dyshim se ai do të ndihmonte shumë, por gjithçka varet nga ai. Në fund, ai që merr vendimet është Leo. Nuk ka dyshim.”
Gazetarja Marcela Mora y Araujo, e cila është një eksperte e futbollit argjentinas, i tha CNN Sport se ndërsa një lëvizje në Barcelonë do ishte një “fund i përshtatshëm” për karrierën e tij, transferimi me siguri mbetet disi si një ‘fantazi’ duke qenë se klubi është ende i bllokuar për sa u përket financave.
“Të varë këpucët në gozhdë në shtëpinë e tij të futbollit është mjaft romantike,” tha ajo.
“Tundimi i Barcelonës do ishte shumë më tepër, ndoshta, me familjen e tij. Fëmijët e tij kanë lindur atje. Stilet e jetesës së fëmijëve të futbollistëve janë shpesh si fëmijët e diplomatëve, ku ata kalojnë një pjesë të madhe të jetës së tyre të re duke udhëtuar nëpër botë dhe më pas, ndoshta në fund të adoleshencës, ata kanë fjalën dhe duan të jenë diku ku janë të lumtur, kanë jetë të rehatshme dhe një jetë të mirë. Arabia Saudite mund të jetë e çuditshme në këtë drejtim. Unë mendoj se ajo anë – jeta familjare, jeta e përditshme, dieta, miqtë, gjuha – atëherë Barcelona do të fitonte. Nuk kam asnjë dyshim.”
Barcelona nuk ka bërë asnjë përpjekje për të fshehur ndjenjat e saj ndaj Messit, por do duhej shumë punë në prapaskenë për ta bërë nënshkrimin realitet.
Por marrëveshjet e mëdha me shërbimin e transmetimit audio Spotify dhe firmën globale të investimeve Sixth Street, ndër të tjera, e kanë ndihmuar klubin ta marrë veten nga rrëmuja totale financiare që gjeti pas pandemisë Covid-19.
Në shtator 2022, Barcelona tha se kishte regjistruar një fitim prej 98 milionë dollarësh për vitin financiar 2021/22 dhe kishte parashikuar fitime prej 298 milionë dollarë për këtë sezon aktual. Klubi njoftoi gjithashtu rinegocimin e planit financiar prej 1.6 miliardë dollarësh për të shlyer borxhin e marrë për të financuar rinovimin e stadiumit të tij të rrënuar Camp Nou, që do të thotë se Barcelona tani do paguajë borxhin pesë vjet më herët se sa ishte planifikuar fillimisht.
Aftësia e saj për të paguar edhe një herë tarifa të mëdha dhe kontrata të mëdha për lojtarët, së bashku me largimin e afërt të Messit, i bën tifozët që ëndërrojnë për një rikthim të mundshëm.
Rruga saudite
Arabia Saudite duket e vendosur për të tërhequr lojtarët më të mëdhenj në botë ndërsa përpiqet të ndërtojë reputacionin e saj dhe të përmirësojë cilësinë e Ligës Pro Saudite.
Është duke u bërë shpejt rivali më i madh i Major League Soçer (MLS) në SHBA si një vend për disa nga yjet më të dashur në botë për të përfunduar karrierën e tyre.
Në fillim të këtij viti, rivali afatgjatë i Messit, Cristiano Ronaldo, u transferua te klubi saudit Al Nassr për një shumë të jashtëzakonshme parash, ndoshta duke u hapur rrugën superyjeve të tjerë që të ndjekin shembullin.
Një paketë financiare befasuese, pa dyshim, mund t’i ofrohet Messit, i cili tashmë ka një marrëdhënie të mirë pune me vendin – pasi ka përballur më parë fushata të shumta turistike.
“Unë mendoj se paratë janë gjithmonë një faktor në vendimmarrjen njerëzore,” tha Mora y Araujo, mes raporteve që klubi saudit Al Hilal po synonte nënshkrimin e Messit.
“Mendoj se shumë njerëz thonë se Messi nuk ka nevojë për më shumë para, por dyshoj se çdo ofertë që do konkurrojë me ofertën saudite do duhet të ketë parasysh llojin e çmimit të lartë bashkangjitur. Por Messi nuk duket veçanërisht i nxitur nga paratë. Ai duket dikush që e pëlqen ende shumë futbollin dhe për të cilin kënaqësia e lojës është një faktor i rëndësishëm. Kur ai nuk po e shijon atë, ai tenton të heqë dorë ose të thotë se do heqë dorë ose do duket i mërzitur. Dhe kur e shijon, ai shkëlqen dhe i bën të gjithë ta duan futbollin.”
Duke dhënë një burim të paidentifikuar, AFP raportoi në fillim të këtij viti se vajtja e Messit në Arabinë Saudite sezonin e ardhshëm ishte një ‘marrëveshje e përfunduar’.
Megjithatë, stafi i Messit i tha CNN Sport se pretendime të tilla ishin të rreme dhe se shtatë herë fituesi i Topit të Artë nuk do merrte një vendim për të ardhmen e tij derisa të përfundonte sezoni i Ligue 1 në Francë.
Mora y Araujo tha se një lëvizje në Arabinë Saudite është ndoshta më e mundshme, duke pasur parasysh se do i lejojë Messit të përqendrohet për të luajtur më shumë për Argjentinën që duket të jetë faktori i tij më i madh motivues – edhe pas fitimit të Kupës së Botës.
Megjithatë, Messi mund të shtyhet nga betejat e dukshme të Ronaldos si brenda dhe jashtë fushës që nga transferimi i tij në Arabinë Saudite. Ylli portugez nuk ka pasur një sezon shumë të mirë këtë sezon dhe ka raportime se ai tashmë po kërkon një largim.
“Imazhi i keq i Arabisë Saudite ose shtypi negative i keq ka më shumë peshë në Evropë sesa në Jugun global, mendoj,” tha Mora y Araujo, duke iu referuar të dhënave të të drejtave të njeriut në vendin e Lindjes së Mesme.
“Për të mos thënë se nuk është komentuar apo përmendur në shtyp…Unë nuk mendoj se trashëgimia e tij do njolloset duke luajtur në Arabinë Saudite. Dua të them, padyshim, nëse ai vazhdon të bëjë diçka vërtet të diskutueshme, por ai duket se është dikush që mban një profil të ulët politikisht dhe thjesht u jep imazhin e tij gjërave.”
MLS, Premier League, Argjentinë?
Lista e kërkuesve të mundshëm nuk ndalet me Barçën apo klubet nga Arabia Saudite. Ekziston rruga e shkelur mirë e superyjeve që lëvizin në MLS dhe raportet e kanë lidhur Messin me një lëvizje të mundshme te Inter Miami të David Beckham.
Beckham është një tifoz i mirënjohur i Messit dhe, në vitin 2019, ngacmoi, “Asnjëherë nuk e dini se çfarë mund të ndodhë në futboll”, kur u pyet për nënshkrimin e argjentinasit një ditë.
Që atëherë, ka pasur lidhje më serioze, me gazetën britanike The Times që raportoi në vitin 2022 se një marrëveshje midis dy palëve ishte afër. Ekziston edhe mundësia për t’u kthyer në shtëpi në Argjentinën e tij të dashur, e cila pa dyshim do emirëpriste atë me krahë hapur.
Messi e filloi karrierën e tij të të rinjve te Newell’s Old Boys përpara se të rrëmbehej shpejt nga Barcelona, por Mora y Araujo tha se nuk ka asnjë pritshmëri në Argjentinë që Messi të kthehet ndonjëherë në shtëpi.
“Nuk mund ta shoh atë duke luajtur te Newell’s Old Boys. Nuk mendoj se lidhja emocionale mes tij dhe atij klubi ishte krijuar mjaftueshëm. Ai u largua kur ishte shumë i vogël”, tha ajo.
“Ta kthesh atë atje do ishte bukur, por nuk jam e sigurt se dikush e ka këtë në mendje veçanërisht. Unë mendoj se presioni i madh nga Argjentina ishte se ai dha për Argjentinën dhe ai e ka bërë këtë tani. Do ishte e mahnitshme nëse ai do kthehej për të luajtur në Argjentinë, por do ishte kaq absurde sepse ai me të vërtetë është tjetër nivel, si të thuash.”
Duke pasur parasysh fuqinë e saj financiare, ka pasur edhe disa spekulime për një periudhë të mundshme në Premier League angleze me Manchester City.
Kampioni i Premier League mund të ofrojë një paketë konkurruese dhe ribashkimin me ish-trajnerin e Barcelonës, Pep Guardiola – i cili menaxhoi Messin gjatë viteve të tij të kur ishte në nivelin maksimal në klub – mund të jetë joshëse.
Megjithatë, me gjithë madhështinë e shkëlqimin e tij, një lëvizje në Premier League në këtë kohë të karrierës së tij mund të jetë një hap shumë larg dhe, siç tha Mora y Araujo, Messi nuk ka asgjë për t’i provuar askujt.
“Mendoj se fitorja e Kupës së Botës është si një fund i bukur përrallash për futbollin ndërkombëtar,” tha ajo.
“Unë nuk mendoj se ai nuk ka nevojë të fitojë asgjë tjetër dhe nuk ka asgjë për të provuar, kështu që është më shumë një çështje se si ai dëshiron të kalojë jetën e tij të përditshme, çfarë dëshiron të bëjë çdo ditë.”
Siç qëndron çështja, Messi ka shumë mundëësi dhe spekulimet do vazhdojnë të vërtiten derisa të merret një vendim. Kudo që ai vendos të shkojë, sytë e botës me siguri do e ndjekin.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e CNN
Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani