Vendosni fjalën kyçe....

Dëmet, rriten motoriket, bie sigurimi i pronës


Kompanitë e sigurimeve po paguajnë më pak dëme këtë vit.

Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) tregojnë se për katër muajt e parë të vitit 2023 dëmet e paguara bruto në sigurime pësuan rënie me 3.26%, për një vlerë totale prej rreth 2.1 miliardë lekësh.

Dëmet kanë rënë njëkohësisht në tregun e Jetës, me 12.36% dhe në tregun e Jo-Jetës, me 1.94%.

Në tregun e Jetës, ndikimin kryesor e ka dhënë tkurrja drastike e dëmeve në produktin e jetës së debitorit, që përbën edhe bazën kryesore të këtij tregu. Dalja nga pandemia ka sjellë gradualisht një ulje të numrit të vdekjeve, çka po jep efektet e veta edhe në tregun e sigurimit të jetës.

Ndërkohë, në tregun e Jo-Jetës rënia e dëmeve të paguara është e lidhur kryesisht me produktet e sigurimit vullnetar. Produkti kryesor, sigurimi i katastrofave këtë vit ka shënuar një rënie drastike të vlerës së dëmeve të paguara, me 82.3% më pak krahasuar me një vit më parë.

Kjo ka bërë që dëmet e paguara nga siguruesit shqiptarë të përqendrohen edhe më shumë në produktet e sigurimit motorik, kryesisht në ato të detyrueshme, por edhe në produktin vullnetar KASKO.

Dëmet në sigurimet e detyrueshme për përgjegjësitë ndaj palëve të treta u rritën me 5.6% për 4-mujorin 2023 dhe përbënin më shumë se 65% të vlerës së përgjithshme të dëmeve në tregun e Jo-Jetës.

Efektin kryesor në rritje e ka dhënë produkti i Kartonit Jeshil, që mbulon dëmet e shkaktuara nga mjetet shqiptare jashtë vendit. Ndërkohë, në sigurimin e brendshëm motorik TPL, dëmet e paguara kanë pësuar rënie me 3.5% krahasuar me një vit më parë.

Rritje të fortë kanë shënuar dëmet edhe nga produkti vullnetar i sigurimit KASKO të mjeteve tokësore, me 35% më shumë krahasuar me një vit më parë. Ky produkt është rritur në dy vitet e fundit, falë shtysës sidomos nga sektori i makinave me qira, i lidhur me turizmin. Kjo ka sjellë paralelisht edhe rritje të vlerës së dëmeve.

Ndërkohë, një segment i veçantë i dëmeve motorike, ai i lidhur me fondin e kompensimit të Byrosë Shqiptare të Sigurimit, për pjesën e parë të këtij viti paraqitet në rënie, me 19.8% më pak krahasuar me një vit më parë. Ky fond mbulon dëmet e shkaktuara nga mjetet e pasiguruara ose të paidentifikuara.

Në komunikimet e viteve të fundit, AMF ka theksuar se situata e pagesës së dëmeve nga ky fond është përmirësuar ndjeshëm në vitet e fundit. Megjithatë, dëmet pezull të fondit të kompensimit në fund të muajit prill rezultonin në rritje vjetore me 1.1%, pak sipër nivelit të 1 miliardë lekëve. /E.Shehu

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor