Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania i kërkon Rusisë të mbyllë 4 konsullata teksa tensionet mes vendeve rriten


Gjermania i kërkoi Rusisë të mërkurën të mbyllë katër nga konsullatat e saj në vend pasi tensionet vazhdojnë të rriten mes dy vendeve.

Në një konferencë shtypi në Berlin, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Christofer Burger akuzoi Rusinë për përshkallëzimin e tensioneve me vendimin e saj për të kufizuar numrin maksimal të stafit në misionet diplomatike gjermane.

Në një lëvizje të ndërsjellë, Berlini informoi Moskën për kërkesën e saj për mbylljen e katër nga pesë konsullatave ruse në vend deri në fund të vitit, tha Burger.

Nga viti 2024, Rusia do lejohet të operojë vetëm ambasadën e saj në Berlin dhe një konsullatë, shtoi ai.

Rusia tani për tani ka pesë konsullata në qytetet gjermane Bonn, Hamburg, Leipzig, Mynih dhe Frankfurt.

Ajo vendosi muajin e kaluar të vendosë një kufi të sipërm për numrin e nëpunësve civilë që punojnë në përfaqësitë diplomatike gjermane dhe qendrat kulturore në vend.

Masa kërkon që më shumë se njëqind nëpunës civilë gjermanë, përfshirë diplomatë, ekspertë dhe mësues të largohen nga vendi.

Vendimi i Moskës erdhi pasi Berlini u kërkoi më shumë se 30 diplomatëve rusë të largoheshin nga vendi në prill, duke i akuzuar ata se punonin të fshehtë si agjentë të inteligjencës.

Marrëdhëniet e Gjermanisë me Rusinë janë acaruar për shkak të luftës në Ukrainë. Berlini ka akuzuar Moskën për krime lufte dhe është përgjigjur duke ndërprerë bashkëpunimin dypalësh dhe duke vendosur sanksione të ashpra ekonomike.

Qeveria e koalicionit të kancelarit Olaf Scholz premtoi mbështetje të fortë politike dhe ekonomike për Kievin dhe ka furnizuar me armë Ukrainën që nga sulmi i Rusisë shkurtin e kaluar.