Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina nuk do pushtohet teksa lufta duket larg përfundimit, thotë Macron


Edhe pse Evropës i mungon koherenca dhe një përgjigje e organizuar ndaj agresionit rus,

Ukraina nuk do pushtohet edhe pse lufta duket se është larg përfundimit, tha të mërkurën presidenti francez Emmanuel Macron.

“Lufta është larg përfundimit, por mund të them sot se një gjë është e qartë: Ukraina nuk do pushtohet”, tha Macron në përgjigje të një pyetjeje nga gazetarët në Bratislavë, kryeqyteti i Sllovakisë, për gjendjen e luftës.

Më herët, Macron mbajti fjalimin përmbyllës në Forumin GLOBSEC të Bratislavës, në të cilin ai dënoi agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.

“Ajo që ishte një ‘operacion special’ një vit më parë rezultoi në një dështim gjeopolitik,” tha ai. Presidenti francez vuri në dukje gjithashtu se Rusisë i mungon besueshmëria në këtë fushë.

Ai, megjithatë, pranoi se Evropës i mungonte koherenca dhe një përgjigje e organizuar ndaj agresioneve.

Presidenti francez u zotua se Evropa do vazhdojë të mbështesë Kievin, duke shtuar se ‘paqja nuk duhet të jetë një armëpushim që zgjat gjendjen e tanishme, që do të thotë rikrijimi i një konflikti të ngrirë’.

Ai theksoi se Evropa duhet të mbajë mbi supe barrën e krijimit të një hapësire të sigurt evropiane brenda NATO-s. “Një shtyllë evropiane brenda NATO-s është e nevojshme,” tha ai.

“Qëllimi nuk është të zëvendësohet NATO me diçka tjetër, por Evropa duhet të garantojë sigurinë e saj,” tha presidenti, duke këmbëngulur për më shumë sovranitet evropian, veçanërisht në frontin ushtarak.