Një pikturë italiane e paçmuar e shekullit të 16-të, e cila u grabit nga Gjermania naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe u zbulua në Japoni, është kthyer në Poloni, thanë autoritetet në Varshavë të mërkurën.
“Madonna me fëmijën” që i atribuohet piktorit Alessandro Turchi, është e fundit nga rreth 600 pjesët artistike të grabitura që Polonia i ka riatdhesuar me sukses. Më shumë se 66,000 të ashtuquajturat humbje lufte mbeten të pallogaritura. Piktura u dorëzua gjatë një ceremonie në Ambasadën e Polonisë në Tokio të mërkurën.
Ministri i Kulturës Piotr Glinski u tha gazetarëve në Varshavë se piktura barok ishte në listën e 521 veprave më të vlefshme të artit të nazistëve në mesin e dhjetëra mijëra veprave të artit që ata plaçkitën kur pushtuan Poloninë midis viteve 1939-45.
Ai tha se nuk ishte ‘e lehtë’ të shpjegohej historia pas veprave të grabitura, si dhe nevoja për kthimin e tyre. Por ai tha se ‘Madonna me fëmijën’ u kthye pas negociatave me palën japoneze dhe ‘Mainichi Auction Inc. si dhe personi që posedonte pikturën kanë vendosur ta kthejnë atë në Poloni, pa asnjë kosto’.
Agata Modzelewska, kryetarja e departamentit të Ministrisë për Kthimin e Artikujve të Kulturës, tha se pala polake thekson gjithmonë në negociata se kthimi i artit të grabitur është ‘gjesti më i mirë moral dhe etik’.
Piktura u identifikua nga ekspertët e ministrisë në një ankand në Tokio në vitin 2022. Ajo vjen nga një koleksion i aristokratit polak të shekullit të 18-të Stanislaë Kostka-Potocki. Në 1823, piktura u rendit në mesin e veprave të artit që i përkisnin një aristokrati tjetër polak, Henryk Lubomirski, në qytetin e Przeworsk. Ajo u grabit gjatë luftës dhe u shit në një ankand në Nju Jork në fund të viteve 1990.
“Gjithnjë e më shumë nga objektet e grabitura po shfaqen në ankande sepse kujtesa (e së kaluarës së tyre) është dobësuar dhe personat që janë në zotërim të tyre tani nuk kanë njohuri të plotë ose nuk janë të vetëdijshëm se nga vjen vepra arti.” – tha Modzelewska për Associated Press.