Vendosni fjalën kyçe....

Plagoset një polic në Zveçan


Policia e Kosovës njoftoi se një zyrtar policor ka marrë lëndime të mërkurën në Zveçan, kur protestuesit serbë nisën të qëllonin me gurë.

Në komunikatën drejtuar mediave, policia tha se nga protestat janë penguar e sulmuar edhe disa gazetarë si dhe disa automjete u janë vandalizuar.

Në njoftim thuhet se hedhjet me gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë ndodhën në orët e pasdites, shkruan Koha.

“Fillimisht protesta ishte e qetë, por në orët e pasdites në intervale të ndryshme kohore disa persona të dyshuar kanë hedhur gurë në drejtim të tri automjeteve të Policisë së Kosovës, ku dy prej tyre iu janë shkaktuar dëme materiale duke iu thyer xhamat. Si pasojë e sulmeve nga mjetet e forta një zyrtar policorë ka pësuar lëndime. Po ashtu gjatë protestës së realizuar sot, disa media/gazetarë janë penguar e sulmuar, si dhe automjetet e tyre ishin vandalizuar nga individ/grupe kriminale. Pengimi i gazetarëve në detyrë cenon të drejtën e shprehjes, informimit dhe lirinë e shtypit. Ne jemi të përkushtuar të hetojmë këto akte kriminale dhe të parandalojmë shfaqjen e dhunës. Njëkohësisht Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë protestuesve që të përmbahen nga dhuna dhe të shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore”, thuhet në njoftim.