Vendosni fjalën kyçe....

Veliaj në Njësinë 8: Dikur ka qenë bastion i kundërshtarit, sot na përket ne, falë punëve dhe përkushtimit tonë


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka vijuar turin e falënderimeve në Njësinë 8.

Veliaj tha se Njësia 8 njihej dikur si bastion i demokratëve, ndërsa tani ajo iu përket socialistëve, falë punës dhe përkushtimit që këta të fundit kanë bërë.

Veliaj falenderoi të gjithë burrat dhe gratëe kësaj njësie,  që u angazhuan në fitoren e zgjedhjeve të 14 majit.

 “Këtu në Njësinë 8, e cila dikur quhej si bastioni më i fortë i kundërshtarit – një njësi, për të cilën pala tjetër thoshte se ‘e kemi në xhep’, ‘aty kemi varur xhaketën, fitojmë edhe sikur të mos shkojmë fare’, ne kemi marrë fitoren më të madhe në 30 e kusur vite demokraci, falë punës, falë përkushtimit, njerzillëkut, këmbënguljes, falë fjalës së mbajtur, falë të parit të tjetrit në sy, falë angazhimit të jashtëzakonshëm të burrave dhe të grave të kësaj njësie, që meritojnë të gjithë respektin tonë. Sot kam disa falenderime për të gjithë brezin e atyre që e mbajtën me thonj partinë tonë në ditët e vështira, por edhe për ata që e drejtojnë sot partinë tonë, për të gjithë të deleguarit, organizatat socialiste, për të gjithë ata që ishin patronazhistë, aktivistë, vëzhgues, komisionerë, numërues”, u shpreh Veliaj.

Ai tha se arsyeja pse Partia Socialiste fiton gjithnjë e më thellë është pasioni për punën dhe për t’iu shërbyer të gjithëve njëlloj.

“Ne nuk kemi fituar një betejë sepse kemi inat dikë tjetër – ne nuk kemi inat dikë tjetër kur bëjmë shkollën “Kiço Blushi”, kur bëjmë shkollën “Sevasti Qirjazi”, kur bëjmë shkollën “Servete Maçi”, kur bëjmë Pazarin e Ri, kur bëjmë shkollën “Siri Kodra”, kur bëjmë rrugët, infrastrukturën, kur mbjellim pemët, kur bëjmë parqet, kur sigurohemi që urbanizimi ka ardhur në çdo lagje – ne nuk e bëjmë këtë si një marrëveshje inati, por si një marrëveshje pasioni, dashurie, kontributi, mirënjohjeje, respekti, fjale të mbajtur, premtimi, borxhi ndaj të parëve tanë. Ne nuk fitojmë se duam të shtypim dikë, ne nuk fitojmë se duam të përbuzim dikë, ne nuk fitojmë se duam të nënshtrojmë dikë, por ne fitojmë se duam t’iu shërbejmë të gjithëve njëlloj,” tha Veliaj.

Kryebashkiaku shtoi se me këto parime Partia Socialiste do të fitojë edhe betejën e ardhshme, atë të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2025.

“Do të doja që nesër të fillojmë një rrugëtim të ri, për të ftuar edhe të gjithë ata që, ndryshe nga ne, ndoshta kanë qenë me atë idenë se “ne jemi bastion”, “e kemi varur xhaketën këtu”, “e kemi të fituar”, “e kemi në xhep”, dhe ndoshta duhet të fillojmë një komunikim të ri, jo si fitimtarë që përbuzin ata që munden, por si fitimtarë që i shtrijnë dorën tjetrit, si një fitimtar që i mjekon plagën atij që sapo ka mundur, si një fitimtar që i shërben me përulësi edhe atij që sapo i ka fituar ndeshjen. Nëse do ta bëjmë këtë, atëherë do të gdhihemi me betejën e ardhshme të 2025-ës si forca jo vetëm më e madhe, por më dinjitoze dhe më bashkuese që ka parë kombi ynë. E kemi në dorë vetë fuqinë për ta bashkuar njësinë, fuqinë për ta shëruar njësinë, fuqinë për ta unifikuar dhe për ta vënë njësinë në shërbim të komunitetit,” e mbylli Veliaj fjalën e tij.