Ish-kryeministri Sali Berisha në një deklaratë të dhënë jashtë ambienteve të Kuvendit vijoi me akuzat zgjedhore ku tha se nga nesër do të dorëzojë prova të krimit elektoral në Kamëz dhe në bashkitë të tjera.
Berisha i bën thirrje KQZ-së të dorëzojë çdo dokumentacion, në Kamzë dhe të bashkive të tjera. Ai vijon se ka një urdhër nga Rama që të mos dorëzohen dokumentet e kërkuara nga pala e interesuar.
“Jam këtu për t’i bërë thirrje KQZ-së që në emër të transparencës të dorëzojë çdo dokumentacion, që disponon për farsën e tmerrshme zgjedhore, në Kamzë dhe më pas në Bashkitë e tjera. Në disponojmë dokumente të pakundërshtueshme se farsa në Bashkinë e Kamzës ka qenë kryekëput antikushtetuese, dhe në kundërshtim flagrant me parimet e kushtetueses. Ka një urdhër nga Rama që të mos dorëzohen dokumentet e kërkuara nga pala e interesuar. Por kjo është një porosi që duhet të hidhet poshtë me guxim nga KQZ. Do të dënohet çdo përpjekje për të penguar transparencën e plotë. Ne nuk po kërkojmë asgjë tjetër veçse transparencës. Provat do t’i dorëzojmë të gjitha, duke filluar që nesër, ato që kemi do t’u dorëzohen mediave. Ata që e shndërruan në farsë do të marrin përgjigjen e merituar. Rivotim në të gjitha bashkitë ku është marrë mandati i opozitës. Për shkak të marrjes së mandatit të opozitës ne nuk njohim zgjedhjet. Opozita ka marrë 40 % të votave dhe falë këtij manipulimi këto 40 % prodhuan vetëm 5 % të pushtetit”, tha Berisha.
I pyetur për tensionet në veri të Kosovës Berisha tha se Edi Rama ka qenë një ndihmës i shpifur, i Aleksandër Vuçiç dhe ka futur thika pa shpine Kosovës në çdo moment.
“Plumbat e bandave serbe dhe plagosjet e ushtarëve të KFOR dëshmojnë se situata është dramatike. Kjo shënon një degradim të paralajmëruar të gjendjes në veriun e Kosovës. Të paralajmëruar për ata që e kanë të qartë se nacionalizmi serb në të gjithë qenien, projektin e tij ka vetëm Serbinë e madhe. Edi Rama ka qenë një ndihmës i shpifur, i Aleksandër Vuçiç dhe ka futur thika pa shpine Kosovës në çdo moment. Pra mos harroni që Rama është një peng në duart e Vuçiçit.”