Ministrja e Ekonomisë dhe Financave, Delina Ibrahimaj, në një konferencë për shtyp këtë të enjte bëri më dije se pagat e muajit maj do kalojnë siç kanë qënë, duke qënë se zbardhja e vendimeve merr një kohë më të gjatë, për shkak se janë mbi 200 institucone të administratës që preken nga vendimi i rritjes së pagave.
Ibrahimaj thotë se dokumentacioni i nevojshëm ka për qëllim që shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për prilin dhe majin.
“Miratuam tetë vendime të Këshillit të Ministrave por patën diskutime. Do të marrim pak më shumë kohë, duke qenë se janë mbi 200 institucione të administratës që preken nga këto vendime dhe mbi 130 mijë të punësuar, pagat e të cilëve u miratuan që në prill, zbardhja e vendimeve merr një kohë më të gjatë.
Kjo është edhe arsyeja që për të qenë më koherent dhe për të shkaktuar sa më pak vonesa në marrjen e pagave, iu kemi kërkuar të gjithë institucioneve buxhetore që të përgatisin dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që pagat e majit, në fazën e parë të kalojnë siç ishin para se të hynte në fuqi reforma. Disa prej institucioneve që preken nga ligji që kaloi në parlament, ne vendosëm që pagat në tërësi të kalojnë siç kanë qenë në muajin maj dhe me zbardhjen e vendimeve, do të përfshijmë për dokumentacionin e nevojshëm me qëllim që shtesat mbi pagë të aplikohen qoftë për prillin dhe majin”, deklaroi ajo.
Sakaq e pyetur nëse ka ndonjë nismë për minimumin jetik dhe sesi do të bëhet indeksimi i pensioneve, Ibrahimaj deklaroi:
“Indeksimin e pensioneve do të bëjmë për periudhën e paindeksuar. Vjet kemi marrë në konsideratë inflacionin e shtatorit, ndërsa të radhës do marrim indeksionin mesatar të shportës për pensionistët, nga tetori deri në shtator të vitit të ardhshëm.
Aktualisht të gjithë transfertat i kemi të bazuara në pagën minimale. Kjo e fundit ka pasur një rritje të konsiderueshme.
Sa i përket rritjes së pagave që prek ligji për hierarkinë, por dhe ato të përgjithshme për administratën, kanë efekt financiar të përllogaritur, rreth 20 mln lekë dhe është i raportuar në Kuvend.”