Nga Armir Shkurti
Uji që duhej, rrodhi nga zgjedhjet. Tani që dallgët u qetësuan kam qejf ta bëj një analizë për 14 majin.
Premisa e parë për të nisur argumentin është çështja në jemi apo jo vend sovran. Pse duhet kjo? Sepse marrëdhënia me këtë premisë sqaron qëndrimin e çdo pale a lojtari politik në Shqipëri.
Qartas Shqipëria nuk e ka sovranitetin. Ne varemi plotësisht nga ndërkombëtarët dhe axhendat e tyre. Kështuqë i pari i vendit ka qenë, është dhe do të jetë përherë AI që kënaq ATA. Sot për sot ky është
Edi Rama
Në pushtet prej 10 vitesh ka plot kusure qeveria dhe qeverisja e tij. Në kushte të tjera, një opozitë për të qenë, do ta kish bërë copash në fushatë, duke i numëruar dështimet, premtimet e pambajtura dhe pakënaqësitë. Çuditërisht, opozita jo vetëm nuk e trazoi, por iu bind thirrjes së Ramës për një fushatë të qetë, pozitiviste, pa shpenzime e pa bujë. Si puna e atij hoxhës ” bëni si them unë e mos bëni si bëj unë”, Rama jo vetëm “i shqeu” kundërshtarët por i mbushi rrugët e autostradat me billboard e citylight, rrugët me flota traktorësh, rrugicat me rrula e asfalt dhe sheshet me turma brohoritësish. Në mënyrën më virtuoze e të paskrupullt pushteti, në vend të fushatës elektorale zhvilloi një fushatë marketingu të suksesshëm ku reklamë i bëhej asgjësë. Me “përpara e jo mbrapa” rilindja shiti ajër një muaj rresht, se tjetër nuk kish çfarë shiste. E përsëris dhe theksoj: shitja e ajrit pati sukses sepse opozita ia la fushën të lirë.
Për ndërkombëtarët e gjithë kjo karnavale është shumë e pëlqyeshme. Fushatë shumë e qetë, pa tensione, me aheng e humor, saktësisht ajo që ATA kërkojnë nga i pari i vendit: qetësi dhe stabilitet. Kështu Rama fitoi: konsolidoi pushtetin dhe besimin ndërkombëtar si ” i duhuri”. Ndërsa fitorja e Shkodrës dhe qyteteve të mëdha i rriti autoritetin politik ndër zgjedhës.
Fituesi tjetër i madh i këtyre zgjedhjeve është Erjon Veliaj. Në ’15- ën e shtyu hovi pushtetit të ri të rilindjes dhe gjumi mitik i Lulit drejt postit të kryetarit të bashkisë së Tiranës . Në ’19 – ën fitoi pa kundërshtarë, sepse opozita i bojkotoi zgjedhjet. Pra këtij lojtari politik i duhej një fitore me garë të ashpër, bindëse dhe të padiskutueshme me qëllim që tu mbushte mendjen ndërkombëtarëve që “ky bën”. Këtë mundësi ia afroi së pari Berisha. Me një garë formalisht demokratike brenda partisë, deputeti që kish marrë më shumë vota në Tiranë në ’21-shin, mori edhe shumicën e votave në parti për kandidim dhe i doli ballaz! Më i miri i “bishës” Berisha. Po këtu u shtua edhe kandidati i PD të vulës dhe 3 të tjerë gjithashtu. 5 kundër 1. Ky 1 i mundi. Do të thotë që mori liçencën për të qenë ndoshta pasardhësi i Ramës. Por gjithësesi, politikan i nivelit të lartë, pas fushatës dhe rezultatit.
Tjetri fitues është, padyshim Berisha. Për fat të keq të një pjese të drobitur të këtij populli, kryesisht antikomunistë dhe idealistë, Doktori krijoi ilizionin se është shpëtimi. Siç thotë at Zef Pllumi, “i mytuni kapet edhe për shkumet të dallgës”. Shumë nga ata që shkuan pas Berishës këto zgjedhje bënë arsyetimin e shkurtër: ” Amerika sulmon Doktorin se Amerika do Ramën. Doktori, siç hoqi Lulin, do ti imponohet Amerikës dhe do të shporrë Ramën….”
Ndërkohë, nëse shohim pak si erdhi Berisha në këto zgjedhje, si u ujdis koalicioni pak para fushate, se asnjë nuk dinte në do bashkohej me Lulin a do bënte parti të re, kuptojmë se qëllimi nuk qe fitorja e bashkive, por konfirmimi si NJERIU QË UDHËHEQ OPOZITËN, NJERIU QË KA NUMRAT. Dhe kjo jo për shqiptarët këtu. E gjitha është për ATA. Ndërkombëtarët. Dhe kështu u bë. Marshi luftarak ” Na vodhën votat” është shkuma e dallgës që u ofron të mbyturve të vet për ti mbajtur me gajret tash e mbrapa, por edhe si monedhë pazari me ATA se ” un’ e kall vendin bã me dasht”….
Ilir Meta
Tjetër fitues në këto zgjedhje. Theksoj: mos bëj gabimin që fitoren dhe humbjen ta masësh me KQZ! Fitorja a humbja janë të gjitha të lidhura me bursën politike dhe interesat e ngushta personale të politikanëve në lojë. Pra Meta. Ose ish LSI që tani është Partia e Lirisë. Ky mori shumë vota! Sa? Saktë nuk e dimë, se janë bashkë me ato të Berishës në thesin e koalicionit. Por Meta, gjithashtu, konfirmoi se ka SHUMË VOTA dhe po ashtu ka shumë këshilltarë nëpër bashkitë e Shqipërisë.
Belind Këlliçi
Uroj ti ketë mbyllur pazaret dhe ta presë një e ardhme e ndritur politike e ndihmuar nga Rama e Veliaj. Nuk ka gjasa që atë fushatë , atë paloprogram dhe gafa ti ketë bërë nga budallallëku. Ia bëj hallall ta ketë shitur, në kushtet e një gjoli me mut siç është politika shqiptare. Por kurrë nuk mund t’ia fal a t’ia pranoj që ka qenë dhe është idiot. Ose idiot deri në këtë gradë. Unë prita që DEPUTETI më i votuar në Tiranë të shfaqej rrugëve në fushatë i ndjekur dhe rrethuar nga shumë njerëz. Kjo do vriste frikën dhe do krijonte frymën. Prita një program ambicioz, shpresë për ringritjen e shtresës së mesme dhe kundërvënien ndaj oligarkisë. Jo për këto zgjedhje ( që s’kish asnjë gjasë ti fitonte AI këtë herë ) por për të mbjellë farën për 2025 – ën dhe krijimin e frymës, ideve ( pse jo ideologjisë ) për të nisur betejën serioze më 15 maj, në vend të tallavasë dalëboje “na vodhën votat”. Me autobuzin falas ( që ndonjë “filozof consevator” u mundua shumë të na e interpretojë si të djathtë), me 500 lulishtet orbitale nga 200 m² nëpër lagje dhe restaurimin e vilave të vjetra, ky djalë vrau shpresën për alternativë. Me atë *arllëkun e gishtave të mesit “drejtuar korrupsionit” vrau seriozitetin personal dhe të forcës së tij dhe me skeçet xhiruar e shpërndarë mediave ala Veliaj, të gatshme, vrau mundësinë e grupimeve masive dhe krijimit të frymës ndër opozitarë.
Enkelejd Alibeaj
Në PD-në e vulës…. në fakt veç ajo vulë dhe një tufë legjionarësh kanë mbetur. PD zyrtare e paraqiti veten në këtë fushatë si një legjion i mobilizuar nga SHBA për të mundur Sali Berishën. Kaq qesharake është kjo situatë saqë Roland Bejko, Kreshnik Çollaku, Enkelejd Alibeaj dhe të tjerë, fjalimet e fushatës me militantët e tyre i kishin përgjithësisht sulme kundër… Berishës dhe Metës. Në mënyrën më mekanike dhe amerikane të mundshme, menjëherë sa mbaruan zgjedhjet, mbaroi edhe detyra e Alibeajt. Edhe ky fitues i madh i 14 majit pasi NDËRKOMBËTARËVE ( më saktë SHBA ) i dëshmoi se është njeriu perfekt I KOMANDUAR. Edhe kur mori KOMANDËN “stop”! iku në çast duke i lëshuar kolltukun fituesit tjetër të madh
Lulzim Basha
Në letërsinë botërore, që nga Homeri e deri tek Hasheku nuk kam gjetur dot një personazh që ti përqaset. Një prijës, komandant a tregëtar skllevërish që shkatërron në mënyrë sistematike e të pashpirt bashkësinë që i beson verbërisht. E shkatërron për llogari të kundërshtarit, duke pranuar të poshtërohet botërisht pa pikën e skrupullit dhe cipës! Një javë pas kataklizmës elektorale të partisë së parë opozitare, që ka qeverisur vendin për 13 vjet, ky del me një buzëqeshje idiote, të thuash se kish fituar jo vetëm 61 bashki këtu por edhe ato të Kosovës e Maqedonisë. Edhe ky është fitues i madh i këtyre zgjedhjeve. Është legjionari më besnik e më i bindur i NDËRKOMBËTARËVE. Është i preferuari i tyre. Me ata e ka kontratën dhe ka dhënë prova se opinioni publik për të është një nocion i panjohur.Më i ftohtë e mizor se një makineri. Ndërsa bylykun që i vete pas i ka si berra që i shet, i blen, i bën kurban, i tall, i përqesh sepse për të as ata kanë ndonjë vlerë e as ai ka ndonjë përgjegjësi apo lidhje.
Po mirë mo, po të humbur nuk paska hiç ky vend?
Ka! Vetëm një, por ky është humbësi më i madh. Ka humbur fëmijët, ka humbur trojet, ka humbur lekët te Sudja, po humb shtëpitë me projektin e vjehrrit të Belindit, ka humbur përfaqësimin politik, ka humbur mendimin politik dhe ekonomik, ka humbur dinjitetin tallavave të fushatave, ka humbur kohë, ka humbur shpresën, po humbet identitetin. Ky është POPULLI SHQIPTAR