Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë seancës së Kuvendit, ku po diskutohet për situatën e krijuar në veri ka folur pse u mor vendimi që kryetarët e zgjedhur të hynin me polici në godina dhe për protestat e serbëve të Kosovës.
Kurti theksoi se qeveria ka disa prova se si kanë vepruar bandat kriminale në veri gjatë kësaj kohe, ku u shpreh se autor i kësaj situate të krijuar në veri është Beogradi.
Kurti tha se protestat kanë qenë të dirigjuara nga Beogradi, kriminelët në veri të Kosovës që kanë urdhëruar punonjësit e komunave që të dalin në protestë.
“Kemi datën 29 maj ku një pjesë e mirë e bandave kriminale u kthyen të organizuar për ta eskaluar situatën. Kemi pamje e video, e foto që eskalimi i situatës ishte i planifikuar, mirë organizuar dhe kishte autor. Autor është Beogradi zyrtarë i cili është kujdesur që shqetësimet e shprehura nga zërat e ndryshëm që paralajmëronin eskalim të situatës se nëse policia nuk tërhiqet, nëse kryetarët nuk shkojnë në punë që këto shqetësime t’i kthejnë në realitet. Pra ngritja e shqetësimeve të shumta për eskalim të situatës bëri që Serbia të mobilojë grupe kriminale që vërtetë ta eskalojnë situatën. E kundërta duhet të ndodhte, që të mbështeteshin kryetarët e rinj në vendin e tyre të punës.
Ne kemi vepruar në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe interesave të qytetarëve të Republikës së Kosovës. Nuk ka pasur asnjë befasi pasi ky ka qenë një proces me shumë hallka, pasi kryetari ka shku me çantë në vendin e tij të punës. Unë nuk mund t’i mbyll sytë kur grupe kriminale, fashist e paramilitarë…jam i vetëdijshëm që jo të gjitha ata që po marrin pjesë në grumbullimin para objekteve janë pjesë e grupeve të tilla, por fatkeqësisht shumë qytetarë serbë për shkak të kërcënimit nga Beogradi janë të detyruar të shërbejnë si mburojë njerëzore për sulmet e grupeve të tilla kriminale. Dhe aty janë tri kategori: janë kategoria e mbrojtjes civile, janë ata nga administrata publike, të cilët po nuk dolën në protesta humbin pagat se vendin e punës nuk e di a e kanë, dhe e treta janë grupet e Radojiciqave dhe Veselinoviqave, të cilët u japin ditë pushimi punëtorëve me kusht që të marrin pjesë në protestë të dhunshme”-deklaroi Kurti.