Kryeministri hungarez Viktor Orban e përshkroi fitoren e presidentit turk Erdogan ndaj kundërshtarit Kemal Kilicdaroglu si një ‘lehtësim të madh’ në një transmetim radio të premten.
“Nëse Erdogani nuk do të kishte fituar, njeriu i Soros do kishte hapur kufijtë për emigrantët”, pohoi Orban, duke iu referuar Kilicdaroglu si agjent i spekulatorit miliarder dhe financues i kauzave liberale George Soros.
Po të kishte fituar, deri në 3 milionë nga 4 milionë refugjatët që jetojnë në Turqi do vërshonin në kufirin hungarez deri në fund të verës, supozoi Orban.
“Unë u luta posaçërisht për fitoren e Presidentit Erdogan,” vijoi Orban.
“Do ishte një tragjedi nëse ai nuk do të kishte fituar.”
Kryeministri argumentoi se ndryshe nga Erdogan, Kilicdaroglu do kishte qenë një udhëheqës pro luftës që mund të kishte ndërprerë furnizimet me gazin rus në Hungari dhe Serbi.
Hungaria merr shumicën dërrmuese të gazit të saj natyror nga Rusia nëpërmjet tubacionit TurkStream, i cili transporton gaz nga Rusia në Evropën Jugore përmes Turqisë.
Budapesti ka bllokuar vazhdimisht përpjekjet e BE-së për të vendosur një embargo ndaj gazit rus për të ndëshkuar Moskën për sulmin e saj ushtarak ndaj Ukrainës.
Erdogan zyrtarisht fitoi rizgjedhjen të dielën pas një balotazhi, duke hyrë në mandatin e tij të tretë me mbështetjen e 52.14% të elektoratit, sipas Këshillit të Lartë Zgjedhor të Turqisë.