Ish-ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka thënë pas lirimit nga burgu se do vijojë të kërkojë drejtësinë.
Në një reagim të shkurtër në Facebook ai shkruan se gjatë kësaj periudhe ka pasur mundësinë të njohë padrejtësinë.
“Do vazhdoj të kërkoj drejtësinë, siç kam bërë deri më sot. Të falenderoj me zemër ty që ke besuar gjithmonë te gjithçka jam e kam bërë unë! Faleminderit dhe ty që ke gënjyer gjithmonë, duke më kujtuar çmimin e të vërtetës. Pata mundësi të njihja padrejtësine përballë. Tani kam mundësinë të kërkojë të drejtën pa kursim! Faleminderit pamase të gjithë!” – shkroi Tahiri.
Ai u lirua sot nga burgu i Lushnjës ku po vuante dënimin me 3.4 vite burg. Tahiri do e vuajë në shtëpi pjesën e mbetur të dënimit prej 1.8 vitesh burg.
Vendimi u mor sot nga gjyqtarja e Gjykatës së Elbasanit Matilda Fetahu.
Sipas vendimit, shkak për lirimin e Tahirit është bërë një raport mjekoligjor sipas të cilit bashkëshortja e Tahirit nuk është në gjendje të kujdeset për dy fëmijët e mitur të çiftit.