Të paktën 30 persona kanë humbur jetën dhe qindra të tjerë janë plagosur në një përplasje treni në shtetin lindor të Indisë, Odisha, thonë zyrtarët vendas.
Gati 50 ambulanca u dërguan në vendngjarje në rrethin Balasore, tha kryesekretari i shtetit. Pradeep Jena shtoi se në përplasje ishin përfshirë dy trena pasagjerësh dhe një tren mallrash.
Kryeministri indian Narendra Modi tha se ishte i shqetësuar nga incidenti i së premtes në mbrëmje.
“Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në vendin e fatkeqësisë dhe e gjithë ndihma e mundshme po u jepet të prekurve,” shkroi ai në Twitter.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Amit Shah e etiketoi incidentin ‘thellësisht shqetësues’, shkruan BBC.
Të paktën 30 njerëz vdiqën, tha zyrtari i lartë i shërbimit zjarrfikës Sudhanshu Sarangi për transmetuesin lokal NDTV. Ai tha se rreth 400 persona janë lënduar.
Mënyra se si ndodhi përplasja mbetet e paqartë. Besohet se disa vagona nga treni ‘Shalimar-Chennai Coromandel Express’ dolën nga shinat rreth orës 19:00 me orën lokale, me disa vagona që përfunduan në rrugën e kundërt.
Një tjetër tren që udhëtonte nga Yesvantpur në Hoërah më pas mendohet të ketë goditur vagonët e përmbysur.
Disa pasagjerë të mbijetuar u panë duke nxituar për të ndihmuar në shpëtimin e të bllokuarve në rrënojat. Aksidentet hekurudhore janë relativisht të zakonshme në Indi, ndodhin disa qindra herë në vit, sipas agjencisë së lajmeve Associated Press.