Personat e shpallur fajtorë për një aksident vdekjeprurës hekurudhor në Indinë lindore do të “dënohen rreptësisht”, ka thënë kryeministri i vendit Narendra Modi.
Të paktën 288 njerëz u vranë dhe më shumë se 800 u plagosën në incidentin e së premtes në shtetin Odisha, ku përfshiheshin dy trena pasagjerësh dhe një tren mallrash.
Përpjekjet e shpëtimit kanë përfunduar, me zyrtarët që thonë se të gjithë pasagjerët e bllokuar dhe të plagosur janë nxjerrë.
Modi ka vizituar vendin e ngjarjes, duke e cilësuar aksidentin “të dhimbshëm”.
Ai takoi gjithashtu viktimat e fatkeqësisë në spital dhe u zotua se qeveria e tij nuk do të linte “asnjë gur pa lëvizur për trajtimin e të plagosurve”.
Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi përplasjen e trenave në distriktin Balasore, i cili është përshkruar si aksidenti më i rëndë hekurudhor i Indisë në këtë shekull.
Një hetim ka nisur, megjithëse ministrja e Arsimit Dharmendra Pradhan ka fajësuar “arsyet teknike”.
Rreth 2,000 pasagjerë mendohet se kanë qenë në bordin e dy trenave.
Sekuenca e saktë e ngjarjeve ka qenë objekt i llogarive konfliktuale.
Zyrtarët thonë se disa vagona nga Coromandel Express, që udhëtonin midis Kolkatës (ish Calcutta) dhe Chennai (ish Madras), dolën nga shinat rreth orës 19:00 (13:30 GMT) pasi goditën një tren mallrash të palëvizshëm. Mbetet e paqartë se si Express përfundoi në të njëjtin binar me trenin e mallrave.
Disa nga vahonët e Coromandel Express më pas përfunduan në anën e kundërt të rrugës. Një tren tjetër që udhëtonte në drejtim të kundërt – Howrah Superfast Express që udhëtonte nga Yesvantpur në Howrah – u përplas me vagonët e dalë nga shinat.
“Forca me të cilën trenat u përplasën ka rezultuar në shtypjen dhe prishjen e disa vagonëve,” shpjegoi për agjencinë e lajmeve ANI, Atul Karwal, shefi i Forcës Kombëtare të Reagimit ndaj Fatkeqësive (NDRF).