Vendosni fjalën kyçe....

SPAK zbulon detaje mbi arrestimin e Sekretares së Përgjithshme të MSH: Përfitoi 330 mijë lekë nga një tender


Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar jep sot detaje mbi arrestimin e sekretares së përgjithshme të ministrisë së Shëndetësisë, Joana Duro dhe specialistes së nivelit të lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

Mësohet se Duro ka marrë 330 mijë lekë për të favorizuar një operator ekonomik në një tender të “Supervizimit për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Arrestimi i dy zyrtareve është bërë dje (2 qershor 2023) ndërsa shuma u gjet në zyrën Sekretares së Përgjithshme

Paratë sipas SPAK janë dhënë nga specialistja e nivelit të lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

‘Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, mbi bazën e informacioneve të sigurura nga Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit, ka regjistruar procedimin penal 10/1 të vitit 2023, për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.

Nga ndjekja me metoda speciale të hetimit janë grumbulluar prova të cilat kanë evidentuar se, një operator ekonomik do të jepte një përfitim të parregullt (në formën e shumave monetare) me qëllim shpalljen fitues në një procedure prokurimi të zhvilluar nga Ministria e Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale (në cilësinë e Autoritetit Kontraktor), Prokurimi në fjalë ishte me objekt “Lot 1 “Supervizim për rikonstruksionin e disa Qendrave Shëndetësore në qarqet Tiranë e Durrës”.

Pas kryerjes së disa veprimeve hetimore, u krijuan dyshime se shtetësja J. D., me detyrë Sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Shëndetësisë e Mbrojtjes Sociale ka marrë një përfitim të parregullt në shumën prej 330.000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë, për të favorizuar një Operator Ekonomik. Këto vlera monetare u dhanë nga shtetësja L. Sh., me detyrë Specialiste e Nivelit të Lartë në Agjensinë e Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara.

Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, nën drejtimin dhe kontrollin e Prokurorisë së Posaçme, arrestuan në flagrance në datën 02.06.2023 shtetaset J. D. dhe L. Sh., për veprat penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” dhe “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga nenet 260 dhe 245 të Kodit Penal.

Gjithashtu në zyrën Sekretares së Përgjithshme u bë e mundur edhe sekuestrimi në cilësinë e proves materiale të shumës prej 330 000 (treqind e tridhjetë mijë) lekë (shumë e cila përbën përftimin e parregullt të dhënë nga shtetësja L. Sh.).’- njofton SPAK.