Vendosni fjalën kyçe....

Lëvizja ‘bwa kale’ në Haiti, qytetarët u shpallin luftë bandave, aksione guerrile nëpër lagje


Makina të vjetra, goma të përdorura dhe tela me gjemba bllokojnë lagjen më të madhe në kryeqytetin e Haitit.

Gangsterët me armë kanë grabitur, përdhunuar dhe vrarë të pafajshmit. Policia dhe zyrtarët e pafuqishëm apo të korruptuar kanë bërë pak për të ofruar siguri apo edhe më keq së kaq.

Tani, njerëzit po marrin masa vetë dhe një valë drejtësie ‘popullore’ po trondit Haitin, e përqendruar në kryeqytetin prej rreth 1 milion banorësh. Rojet popullore mbyllin lagjet. Ata vrasin me gurë dhe hanxhar e shpesh presin gjymtyrët e gangsterëve të dyshuar, u presin kokat dhe u vënë flakën, ndonjëherë kur janë ende gjallë.

Rojet kanë vrarë të paktën 164 njerëz që nga fillimi i lëvizjes së quajtur ‘bwa kale’ në prill, sipas Kombeve të Bashkuara. Emri do të thotë ‘dru i qëruar’ në kreolishten Haitiane dhe nënkupton dominimin dhe fuqinë e mashkullit në zhargonin e rrugës.

“Nëse nuk je nga këtu, ne do të të vrasim,” tha Leo, një udhëheqës i komunitetit që i dha AP qasje në lagjen Turgeau në mënyrë që gazetarët të mund të shihnin se si lagjia po u përgjigjet bandave që vlerësohet se kontrollojnë 80 % të Port-au-Prince. Ai nuk dha mbiemrin për të mbrojtur familjen e tij.

Pankartat që shkruajnë, ‘Jemi të lodhur nga rrëmbimet’ dhe ‘Kujdes për njëri-tjetrin’, janë varur në të gjithë qytetin dhe shumë lagje kanë ngritur barrikada si ato që mbyllin Turgeau.

Një pasdite të fundit, Leo dhe fqinjët ruanin një nga katër barrierat e improvizuara që bllokonin rrugët në komunitetin e tyre kodrinor të mjekëve, infermierëve, pastorëve, avokatëve, shitësve ambulantë dhe inxhinierëve.

Njerëzit që donin të hynin duhej të tregonin letërnjoftimet e tyre, të hapnin çantat, të ngrinin këmishat për të zbuluar ndonjë tatuazh të bandës dhe, nëse nuk jetonin atje, të shpjegonin se ku po shkonin. Natën, ata që kërkonin të hynin në Turgeau duhej të siguronin gjithashtu një fjalëkalim, të cilin komuniteti e ndryshon çdo javë.

Policia e Haitit nuk mban statistika të besueshme të krimit. Por vrasjet dhe rrëmbimet e lidhura me bandat kanë rënë për shkak të ‘bwa kale’, thonë aktivistët e të drejtave të njeriut, të cilët gjithashtu shqetësohen për dhunën e tmerrshme dhe se njerëzit e pafajshëm mund të vriten.

Weslander Al Cégaire, një kuzhinier në qytetin jugor të Les Cayes me një fytyrë të rrumbullakët dhe buzëqeshje të lehtë, i tha AP se kushëriri i tij u vra kohët e fundit nga anëtarët e ‘bwa kale’ ndërsa udhëtonte me një person me motoçikletë, i cili ishte në shënjestër.

“Është një lëvizje e mirë, por në të njëjtën kohë, të njomët po digjen bashkë me të thatët,” tha Cégaire, duke shtuar se ai u largua nga Port-au-Prince sepse kishte frikë nga dhuna e bandave dhe lëvizja ‘bwa kale’.

Turgeau është nën rrethim nga një bandë e njohur si ‘5 sekonda’, sepse supozohet se kjo është koha që u duhet atyre për të vrarë dikë. Lëvizja ‘bwa kale’ mori vrull në Turgeau pasi banorët thanë se banda nisi një sulm para agimit në fund të prillit, duke vrarë gati një duzinë njerëzish.

“Ata dogjën motoçikleta. Ata dogjën shtëpi. Ata dogjën njerëz. Ata përdhunuan. Ata plaçkitën”, tha Kenson Dimanche, një vullnetar që kontrollon një nga barrikadat.

Kettia, një banore që dha vetëm emrin e saj për të mbrojtur atë dhe familjen e saj, tha se banda ia rrëmbeu burrin, e detyroi t’i nxirrte jashtë lagjes dhe e përdori si mburojë ndërsa shkëmbyen zjarr me policinë. Ai mbijetoi.

“Nëse njerëzit që bëjnë bwa kale nuk do të ngriheshin, mund të kishte qenë më keq,” tha ajo.

Më shumë se 1,630 njerëz u vranë, u plagosën ose u rrëmbyen në Haiti në tre muajt e parë të vitit, një rritje prej gati 30% krahasuar me tremujorin e mëparshëm, sipas një raporti të lëshuar në maj nga Zyra e Kombeve të Bashkuara në Haiti. Vetëm në prill, më shumë se 600 njerëz u raportuan të vrarë, krahasuar me një total prej 846 njerëzish të vrarë në tre muajt e parë të vitit.

Në tetor, kryeministri Ariel Henry kërkoi vendosjen e menjëhershme të një force ushtarake ndërkombëtare për të shuar dhunën e bandave, por as Këshilli i Sigurimit i OKB-së, SHBA-ja apo Kanadaja nuk kanë vepruar.

María Isabel Salvador, e dërguara speciale e OKB-së për Haitin, i tha Associated Press se, “Haiti me të vërtetë nuk mund të durojë më”.

“Bota duhet të përgjigjet,” tha ajo.

Policia Kombëtare e Haitit ka vetëm rreth 9,000 oficerë aktivë për një vend me më shumë se 11 milionë banorë. Policia ka arrestuar më shumë se 2,700 kriminelë të dyshuar dhe ka sekuestruar dhjetëra armë që nga fillimi i një operacioni të quajtur ‘Tornado’ në janar për të shënjestruar bandat, por ata shpesh janë të mbingarkuar. Si policia ashtu edhe civilët po luftojnë kundër rreth shtatë aleancave kryesore të bandave që veprojnë në Haiti, së bashku me rreth 200 grupe të lidhura me to.

Në Turgeau, disa roje popullore lëvizin me hanxhar në dorë, si 63-vjeçari Réné Mizak, i cili tha se ishte një ish-Tonton Macoute – një milici private që terrorizoi Haitin gjatë diktaturës së Francois ‘Papa Doc’ Duvalier dhe djalit të tij, Jean Klod.

“E bleva për t’u mbrojtur,” tha Mizak, një burrë i gjatë, i hollë me një ecje të qetë.

“Ne po kërkojmë drejtësi në rrugën tonë.”

Mizak, i cili gjithashtu nuk pranoi të jepte identitetin e tij të plotë për shkak të frikës nga gangsterët, tha se kohët e fundit i preu krahun njërit dhe i dogji fytyrën me benzinë ​​një tjetri sepse askush në komunitet nuk i njohu, duke shtuar se pjesëmarrësit e ‘bwa kale’ kanë vrarë të paktën tre persona në Turgeau, të cilët ishin anëtarë të dyshuar të bandës.

Lëvizja ‘bwa kale’ filloi kur policia arrestoi 13 anëtarë të dyshuar të një bande gjatë një ndalese trafiku në Port-au-Prince në fund të prillit.

“Ne i morëm nga policia dhe i hoqëm qafe”, kujton Israel Bien-Aimé.

“Kjo është e vetmja lëvizje që mund të na japë një zgjidhje për bandat në Haiti.”

Bien-Aimé, një burrë i gjatë me një trup atleti, u zotua të vazhdojë.

“Nëse do gjenim një bandit tani, do e ndalonim, do e rrihnim dhe do e vrisnim,” tha ai.

Vrasjet janë rritur gjithnjë e më të frikshme.

Vetëm disa blloqe larg Turgeau, një burrë me një motoçikletë mbante një kokë të prerë ndërsa turma bërtiste: “Bwa kale! Bwa kale!”

Incidenti mund të shihet në një video që është shpërndarë në rrjetet sociale dhe është diskutuar mes vëzhguesve ndërkombëtarë.

Bandat ende nuk i janë përgjigjur lëvizjes ‘bwa kale’, megjithëse disa lagje po përgatiten për hakmarrje. Në një video të fundit të TikTok, një burrë që tha se është anëtar i bandës që kontrollon zonën e Grand Ravine në juglindje të Port-au-Prince tha se po pret që lëvizja ‘bwa kale’ të vijë në zonë.

Me një kapuç të zi që mbulon fytyrën e tij dhe një rrip plumbash të kalibrit 50 të mbështjellë rreth qafës, burri tha se banda e tij do u japë haitianëve shijen e saj të ‘bwa kale’ në kohën e duhur.

“Ne jemi shumë të qetë,” tha ai.

“Ne nuk do të nxitojmë. Ne nuk do bëjmë bujë. Ne thjesht do presim.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuake e AP

Përgatiti për Hashtag.al, K.Manjani