Vendosni fjalën kyçe....

‘Zbulimi i shekullit’ në Itali, ish-punonjësi i komunales gjeti statujat e lashta prej bronzi


Një nga gjetjet më të shquara arkeologjike të Italisë në dekada shfaqet këtë muaj – statujat etruske dhe romake të nxjerra nga balta në Toskanë falë pjesërisht intuitës së një ish-punonjësit të komunales në pension.

Rreth dy duzina statuja bronzi nga shekulli i tretë para Krishtit deri në shekullin e parë të erës sonë, të nxjerra nga rrënojat e një banje të lashtë, do shfaqen në Pallatin Quirinale të Romës nga 22 qershori, pas disa muajsh restaurimi, shkruan Reuters.

Kur zbulimi u njoftua në nëntor, ekspertët e quajtën atë koleksioni më i madh i statujave të lashta prej bronzi të gjetura ndonjëherë në Itali dhe e përshëndetën atë si një zbulim që do ‘rishkruante historinë’.

Statujat u gjetën në vitin 2021 dhe 2022 në fshatin në majë të kodrës San Casciano dei Bagni, që është ende shtëpia e banjave termale të njohura, ku arkeologët kishin dyshuar prej kohësh se mund të zbuloheshin rrënojat e lashta.

Megjithatë, përpjekjet fillestare për gjetjen e tyre ishin të pasuksesshme.

Gërmimet filluan në vitin 2019 në një ngastër të vogël toke pranë banjove publike të fshatit të epokës së Rilindjes, por javë të tëra gërmimesh zbuluan ‘vetëm gjurmë të disa mureve’, tha kryebashkiaku i San Casciano, Agnese Carletti.

Më pas, një ish-punonjës i komunales dhe historiani amator vendas Stefano Petrini pati ‘eureka’ të intuitës, duke kujtuar se vite më parë ai kishte parë copa kolonash të lashta romake në një mur në anën tjetër të banjove publike.

Kolonat mund të shiheshin vetëm nga një kopsht i braktisur që dikur i përkiste mikut të tij, shitësit të ndjerë të zarzavatete të San Casciano-s, i cili kultivonte fruta dhe perime atje për t’i shitur në dyqanin e fshatit.

Kur Petrini i çoi arkeologët atje, ata e dinin se kishin gjetur vendin e duhur. Gjithçka nisi që andej, nga kolonat, tha Petrini. Faltorja u vulos në fillim të shekullit të pestë pas Krishtit, kur kompleksi antik i banjës u braktis, duke lënë statujat e tij të ruajtura për shekuj nga balta e ngrohtë e banjave.

Gërmimet do rifillojnë në fund të qershorit. Mariotti tha se ‘është e sigurt’ se do gjenden më shumë në vitet e ardhshme, ndoshta edhe 6 ose 12 statujat e tjera që një mbishkrim thotë se janë lënë pas nga Marcius Grabillo.

Pas ekspozitës në Romë, statujat dhe artefaktet e tjera do vendosen në një muze që autoritetet shpresojnë ta hapin në San Casciano brenda dy viteve të ardhshme.

Petrini shpreson se thesaret do sjellin ‘punë, kulturë dhe të ardhura’ në fshatin e tij prej 1500 banorësh, i cili po lufton me shpopullimin si pjesa më e madhe e Italisë rurale.