Ish-kreu i PD-së Lulzim Basha ka përmbledhur takimin e tij ditën e djeshme me një grup të rinjsh w qytetarësh në Kamëz.
Ai shkruan në Facebook se në vend ka ardhur koha për lista të hapura, vetting në politik, kufizimit të mandateve e mundësimin e votës së emigrantëve.
Basha shton se Shqipëria ka mbetur në duart e Ramës, Berishës e Metës për mbi 30 vite ndërsa zgjedhjet e 14 majit, sipas tij, treguan braktisjen e tyre nga qytetarët.
“Kënaqësi të bisedoja me të reja dhe të rinj të Kamzës, ku na u bashkuan edhe anëtarë e kontributorë të Partisë Demokratike. Sot është koha që bashkë me shqiptarët, të majtë e të djathjë, t’i japim fuqi votës dhe zërit të qytetarëve përmes listave të hapura, vetting-ut në politikë, kufizimit të mandateve e votës së emigrantëve. Për këtë ne duhet të bëjmë gjithçka mundemi duke kërkuar edhe referendum.
Ata do mundohen të na pengojnë. Ata që duan monopol mbi politikën, median, ekonominë duan që Shqipëria të mbetet në duart e atyre të treve, siç ka qenë për mbi 30 vite. Por më 14 maj shumica i ka kthyer kurrizin treshes, dhe kjo i ka shqetësuar, prandaj kanë hapur sërisht thesin e mashtrimeve, që i thonë sot e i përgënjeshtrojnë po vetë nesër.” – shkruan Basha.
Më tej ish-kryedemokrati shton se pasuria e çdo politikani duhet bërë publike, duke nisur nga e tija.
Basha e mbyll shënimin me mesazhin se ai e ka sakrifikuar veten e tij në interes të demokratëve duke duruar gjithçfarë mashtrimi në të kundërt, Berisha sakrifikoi interesin e demokratëve për interesin e tij personal.
“Unë kam vetëm një përgjigje për ata, dhe këdo që u beson atyre. Të hapim letrat dhe të tregojmë pasurinë e çdo politikani. Le ta fillojmë me mua dhe rrethin tim familjar dhe më pas me ata, fëmijët dhe familjarët e tyre. Të shohim a i justifikojnë apo jo? Ky është vettingu i politikanëve. Këtë se duan, sepse duan të baltosin dhe të godasin këdo që trazon agjendën e tyre. Sot është koha që demokratët të ulin thikat, duke filluar nga ai që i ngriti i pari, sepse e kemi kundërshtarin politik të ulur këmbëkryq në familjet tonë me ndihmën e atij që nxiti këtë luftë brenda nesh. Unë e mora vendimin tim! Vendosa të sakrifikoj veten në interes të demokratëve, duke duruar edhe gjithfarë mashtrimi. Ai ka bërë të kundërtën, sakrifikoi interesin e demokrateve për interesat e tij personale. Për këtë, çdo ditë e më shumë, koha po na jep të drejtë!” – mbyll mesazhin në Facebook, Basha.