Vendosni fjalën kyçe....

Gjermania do dërgojë anije luftarake në Indo-Paqësor


Gjermania do vendosë dy anije luftarake në Indo-Paqësor vitin e ardhshëm, tha ministri i Mbrojtjes Boris Pistorius në një samit ndërkombëtar të dielën, mes tensioneve të vazhdueshme rajonale që përfshijnë Kinën dhe Tajvanin, si dhe Detin e diskutueshëm të Kinës Jugore.

Në një fjalim në konferencën e sigurisë së Dialogut Shangri-La në Singapor të dielën, Pistorius deklaroi se duhet të respektohet kalimi detar, përmes të cilit lëvizin rreth 40% e udhëtimeve të tregtisë së jashtme të Evropës.

“Për këtë qëllim, qeveria federale gjermane dërgoi një fregatë në Indo-Paqësor në vitin 2021 dhe do vendosë përsëri në 2024 mjete të tjera detare,” tha Pistorius në konferencë, ku morën pjesë shumë nga zyrtarët më me ndikim të mbrojtjes në botë.

Këto mjete, tha Pistorius, do të përfshijnë një fregatë dhe një anije furnizimi – por ai theksoi se vendosja detare nuk po ndërmerret për të kundërshtuar veprimet e ndonjë aktori specifik në rajon. “Përkundrazi,” vazhdoi ai, “ata janë të përkushtuar ndaj mbrojtjes së rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla që ne të gjithë i nënshkruam dhe nga i cili të gjithë duhet të përfitojmë.”

Në vitin 2021, një luftanije gjermane u vendos në rajon për herë të parë në pothuajse dy dekada. Vende të tjera perëndimore kanë rritur gjithashtu praninë e tyre ushtarake në zonë mes shqetësimeve për objektivat territoriale të Pekinit, veçanërisht në lidhje me Tajvanin.

Pekini ka pohuar se Deti i Kinës Jugore është zona e tij ekskluzive detare. Megjithatë, rreth shtatë vjet më parë, një gjykatë sipas kushteve të Konventës së Kombeve të Bashkuara të vitit 1982 për të Drejtën e Detit hodhi poshtë me vendosmëri pretendimin territorial të Pekinit për ujërat. Pavarësisht kësaj, Kina ka instaluar pika ushtarake në të paktën tre ishuj në det.

Muajin e kaluar, Pekini shprehu ‘pakënaqësinë e tij të konsiderueshme’ në një vizitë të ministres së qeverisë gjermane Bettina Stark-Watzinger në Tajvan, të cilën Pekini e sheh si një provincë të shkëputur. Kina ka qortuar shpesh kombet perëndimore për angazhimin në diplomaci me liderët në Taipei, të cilin e sheh si pjesë të territorit të saj sovran sipas parimit të ‘Një Kine’.

Të shtunën në të njëjtën konferencë në Singapor, Pistorius tha se ai ia kishte ‘bërë të qartë’ Pekinit se ai priste që Kina t’i jepte fund praktikës së saj të marrjes së ish-pilotëve ushtarakë gjermanë për të ndihmuar në stërvitjen e forcave të veta.

Kjo pasoi një raport nga revista gjermane e lajmeve ‘Spiegel’ të premten, e cila thoshte se Kina kishte marrë një trajnim të tillë për vite me rradhë dhe se zyrtarët e sigurisë në Berlin ishin të shqetësuar se njohuritë ushtarake të forcave gjermane dhe të NATO-s po rrezikoheshin.