Ministrja e Shëndetësisë Manastirliu u është përgjigjur thirrjeve të deputetëve të PD-së për dorëheqje pas arrestimit të sekretares së ministrisë Joana Duro dy ditë më parë.
Në fjalën e saj në Kuvend ajo tha se distancohet nga ngjarja dhe se kushdo që shkel ligjin duhet të përballet me drejtësinë.
Manastirliu tha se para ligjit të gjithë janë të barabartë dhe se sot vendi ka institucione drejtësie të pavarura.
“Qëndrimi im është i prerë dhe i qartë jo vetëm për këtë ngjarje nga e cila si institucion distancohemi. Këtë qëndrim do të kemi gjithnjë për çdo rast të shkeljes së ligjit, të detyrës etj. Dhe ky person që i shkel këto, do përballet me drejtësinë. Ky ka qenë objektivi im që kur kam marrë detyrën. Rasti është i rëndë, duhet hetuar. Nëse del, ashtu sikurse dyshimet janë të përballet me ligjin. Çdo person që merr detyrën në subjektin publik merr dhe përgjegjësinë para ligjit. Kjo është arsyeja pse e iniciuam dhe e bëmë reformën në drejtësi. Para ligjit të gjithë janë të barabartë. Unë e kuptoj që e keni të vështirë për ta kuptuar këtë. E keni të vështirë sepse dikur kush ishte në hetim vazhdonte të drejtonte institucionet nga shtëpia. Kush vriste, drejtonte institucione të larta. Zakoni juaj tashmë dihet, ju doni të bëheni, avokatë, prokurorë e gjykatës. Por falë zotit, sot kemi drejtësi dhe organe drejtësie të pavarura. Dhe unë ndryshe nga ju i respektoj.” – tha Manastirliu.