Policia ka zbuluar detaje të reja lidhur me atentatin në Don Bosko ku mbeti e vrarë Mimoza Paja.
Nëpërmjet një njoftimi, policia thotë se 28 vjeçari Nikoll Sherrniku i cili është nën masën e sigurisë ‘arrest me burg’, ka qenë personi që ka siguruar targat gjermane personave që kanë kryer atentatin dhe më pas i kanë vënë flakën automjetit në fshatin Likmetaj të Manzës në Durrës.
“Sot më datë 07.06.2023 u bë ekzekutimi i vendimit Nr. 1220 datë 07.06.2023 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë e cila ka vendosur caktimin e masës të sigurimit personal atë të “Arrest në burg“ ndaj personit nën hetim N. Sh., 28 vjeç, lindur dhe banues në Fushë – Kuqe, Laç, (aktualisht nën hetim me masën e sigurisë “Arrest në burg” edhe për vepra të tjera penale) si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Sigurimi i kushteve dhe mjeteve materiale për të kryer vrasje”.
Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera në funksion të procedimit penal nr. 1700 të vitit 2023 ka rezultuar se personi nën hetim, shtetasi N. Sh., me veprime aktive ka siguruar kushtet dhe mjetet materiale që kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale. Këto veprime konsistojnë në marrjen e targave të huaja ne shtetin gjerman, sjelljen e tyre në Shqipëri, dhe vënien në dispozinon të këtyre targave personave të tretë (autorëve), të cilët më pas i kanë ruajtur dhe përdorur këto targa në një automjet tip “BMW” seria 5, ditën e ngjarjes.
Automjeti tip “BMW”, sëbashku me targat gjermane, është gjetur i djegur në fshatin Likmetaj, Manëz, Durrës. Në funksion të këtij procedimi janë kryer veprime të shumta hetimore dhe ekzekutuar letër-porositë në Gjermani dhe në Kosovë”- thuhet në njoftimin e policisë.