Vendosni fjalën kyçe....

Denoncimi i fortë i gazetarit: Mbështetësit e Lulzim Bashës kërcënuan e tentuan të dhunojnë fizikisht gazetarët te selia e PD-së


Gazetari Isa Mysyraj ka denoncuar dhunën, kërcënimet, sharjet e tentativatpër dhunë fizike ndaj gazetarëve panë selisë së PD-së në orët e para të mëngjesit, teksa brenda po zhvillohej mbledhja e kryesisë.

Ai shkruan se një grup mbështetësish të ish-kreut të PD-së Lulzim Basha pasi shanë e ofenduan disa deputetë të PD-së, kanë kërcënuar gazetarët që të fikin kamerat e të mos regjistrojnë asgjë.

“Dhuna verbale, kërcënimet, sharjet dhe tentativat për dhunë fizike që janë ushtruar ndaj gazetarëve në orët e para të mëngjesit pranë selisë së Partisë Demokratike janë një këmbanë alarmi jo më vetëm për lirinë e medias, por edhe për sigurinë fizike të gazetatëve. Një grup personash të cilët qëndronin jashtë dyerve ku po zhvillohej mbledhja e kryesisë së PD, mbështetës të Lulzim Bashës, pasi shanë dhe ofenduar disa deputetë të PD që dolën nga mbledhja, këcënuan gazetarët që të fiknin kamerat dhe të mos regjistronin asgjë. Më pas ata shanë, ofenduan dhe tentuan të dhunojnë fizikisht gazetarët rreth orës 01:40. 5 gazetatët që ndodheshin aty disponojnë video dhe incizime audio nga e gjithë skena, për aq sa na u lejua.” – shkruan Myzyraj.

Ai shkruan më tej se ajo që ndodhi në orët e para të mëngjesit është kambanë alarmi për lirinë e medias e sigurinë fizike të gazetarëve.

Myzyraj u bën thirrje politikanëve të lartë në PD që të urdhërojnë mbështetësit e tyre të ndalojnë menjëherë sjelljet e rrezikshme që kërcënojnë gazetarët.

Në fund ai shkruan se policia dhe prokuroria i kanë skenat e dokumentuara nga kamerat e kryesisë së Kuvendit.

“Siguria e gazetarëve është rrezikuar seriozisht sot në të gdhirë, ndaj politikanët e lartë të PD duhet urgjentisht të urdhërojnë mbështetësit e tyre që të ndalojnë menjëherë këto sjellje të rrezikshme që dëmtojnë lirinë e medias, dhe vënë gazetarët në rrezik. Unë personalisht jam i tronditur nga sjellja e grupit mbështetës të Lulzim Bashës, në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Policia e Shtetit dhe organet e tjera ligjzbatuese e kanë të gjithë skenën të dokumentuar nga kamerat e kryesisë së Kuvendit.” – mbyll denoncimin Myzyraj.

Në një video të publikuar  nga Syri, një grup mbështetësish të Lulzim Bashës u kanë zënë rrugën deputetëve Saimir Korreshi, Helidon Bushatit, Lefter Gështenja, etj.

Ata duken që i bëjnë presion deputetit të  PD-së Saimir Korreshi, duke i kërkuar llogari se përse nuk votoi propozimin që kthen në krye të PD-së Lulzim Bashën.

Pamjet tregojnë Dorian Protoduarin, një nga personat që ka qenë në selinë e PD-së në përplasjen e 8 janarit 2022 në selinë blu që i thotë Korreshit të mos t’i dalë para.

 

“Kush ka bythë të vijë…Jena torturu më shumë se këta dhe këta dalin para nesh. Na tregojnë ata ne…”, dëgjohet të thotë Protoduari dhe të tjera persona të pranishëm.

“Ti e di shumë mirë si bëhen gjërat. S’e di si kena me t’pa…Kaq di me të thënë…Po na torturoni…Dhe ti Saimir bone gabim dhe mos më dil para Saimir se nuk haj burg unë për të o Saimir. Po na torturoni…Na keni torturu dhe po vazhdoni të na torturoni në kurrizin tonë. T’ju vijë turp…Të vijë turp se po na shkelni djersën tonë…Burgun e kam hëngër unë, belatë i kam hëngër unë dhe ju keni ndejtë atje si mbretër. Turp të vijë, turp të vijë…Kush ka bythë të vijë…Jena torturu më shumë se këta dhe këta dalin para nesh. Na tregojnë ata ne…”

Zgjedhjet për kreun e ri të PD-së janë vendosur të mbahen më 29 korrik 2023. Gjatë mbledhjes që përfundoi në orën 2 e 30 pas mesnate, 17 nga  28 anëtarët e kryesisë iu bashkuan propozimit të mëhershëm të Kolegjit të Kryetarëve për hapjen e menjëhershme të garës.

Ata hodhën poshtë propozimin e grupit parlamentar për zhvillimin e një analize mbi humbjen e më pas mbajtjen e zgjedhjeve në degët e PD-së në rrethe, para zgjedhjes së kreut  të partisë

.Grupi i deputetëve i përbërë nga Gazment Bardhi, Dashnor Sula, Bledion Nallbati, Helidon Bushati, Jorida Tabaku, Lefter Gështenja e Sajmir Korreshi kërkuan zhvillimin e zgjedhjeve së pari nëpër degë e më pas për kryetar.

Ndërsa grupi i dytë që mbështeti hapjen e garës për kryetar e zhvillimin e saj më 29 korrik përbëhej nga ish-kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, ish-kandidatët për kryetar bashkie Roland Bejko e Agron Kapllanaj si dhe ish-deputeti Xhemal Gjunkshi.